Prishtinë, 23 qershor 2015

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, priti në një takim Ambasadorin e Britanisë në Prishtinë, Ruairi O'Connell, ku u diskutua mbi punën e deritanishme dhe në përgjithësi procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-'99 në Kosovë.

Kryetari Gjetaj njoftoi Ambasadorin O'Connell mbi zhvillimet e fundit dhe angazhimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, gjegjësisht të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në përpjekjen për ndriçimin e fatit edhe të 1654 personave, të evidentuar si të zhdukur të luftës.

Po ashtu, Kryetari i Komisionit Qeveritar falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për përkrahjen e rëndësishme që ka dhënë në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur. Me këtë rast, Kryetari Gjetaj, theksoi se çështja e personave të zhdukur duhet të vazhdojë të trajtohet me prioritet nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke shprehur mirënjohjen për ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhënë në këtë proces, mirëpo duke theksuar se ka ardhur koha që ky proces gradualisht të kalojë në kompetencë të plotë të institucioneve vendore.

Ambasadori O'Connell, pasi falënderoi Kryetarin Gjetaj për pritjen, ritheksoi gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të përkrahur Republikën e Kosovës në këtë proces mjaft të vështirë dhe të ndjeshëm, në përpjekjen e përbashkët që familjet e personave të zhdukur të kenë sa më parë informacion për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të zhdukur gjatë luftës. Ambasadori O'Connell, ndër të tjera theksoi, se "Për një të ardhme të ndritur për Kosovën duhet të merremi me dëmet që ka shkaktuar lufta".

Gjatë takimit, u diskutua edhe mbi sfidat që po e përcjellin këtë proces dhe për punën në vijim, ku ndër të tjera, Kryetari Gjetaj, ritheksoi nevojën që të ketë një bashkëpunim më të mirë në mes të institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare të përfshira në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, në mënyrë të veçantë për hartimin e një 'Strategjie për Qasje të Përbashkët' dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale vendore, si dhe mundësinë që bashkësia ndërkombëtare të shtojë presionin ndaj Serbisë për të qenë më bashkëpunuese në ofrimin e informatave mbi fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur, po ashtu, të shqyrtohet mundësia që çështja e personave të zhdukur të jetë temë e bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel, në mes të Kosovës dhe Serbisë.