Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli përshëndeti vendimin e opozitës për të ndërprerë bojkotin e për të marrë pjesë sot në punimet e Kuvendit, në respekt të mandateve të tyre, por edhe si rrugën më të mirë për të dhënë kontributin e pazëvendësueshëm në proçeset integruese të vendit.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit tha:



"Të dashur deputetë dhe deputete,



Do të çel këtë seancë për të përshëndetur përzemërsisht hyrjen në Parlament të opozitës shqiptare, e të shpreh vlerësimin tim më të mirë për vendimin që opozita mori dje në grupin e saj parlamentar, për të ndërprerë bojkotin e për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.


Unë personalisht kam patur gjithnjë besimin dhe bindjen se kolegët e mi socialistë, në emër të interesit më të mirë të qytetarëve që përfaqësojnë, e të forcës politike që i përkasin do të merrnin vendimin që morën mbrëmë, në respekt të mandateve të tyre, por edhe si rrugën më të mirë për të dhënë kontributin e pazëvendësueshëm në proçeset integruese të vendit."