robelliNga Enver Robelli


«Sot, të nderuar mysafirë dhe të dashur qytetarë, po fillojmë një traditë të re». Kjo ishte njëra nga fjalitë e kryetarit të Kosovës Hashim Thaçi në ditën e inaugurimit të tij. Me të vërtetë ishte një traditë e re jo vetëm për nga forma e ceremonisë. Çfarë duhet të provokojë debat në shoqëri janë deklaratat e Thaçit, të cilat mohojnë disa të vërteta që kanë qenë statike në historinë dhe vetëdijen e kombit shqiptar.


Zhvlerësimi i Skënderbeut


Thaçi tha: «Jemi këtu, para monumentit të Skënderbeut. Shumëkush e sheh si luftëtar në mes qytetërimeve, por unë sot e shoh si një njeri që preku dy botëra».


Me këtë fjali roli i Skënderbeut në historinë shqiptare zhvlerësohet. Ai paraqitet si një luftëtar që paskësh prekur të dy civilizimet lindorin dhe perëndimorin. Skënderbeu vërtet preku dy botë, por u kthye aty ku ndihej më mirë dhe aty ku mendonte se mund të mbronte civilizimin perëndimor. Nuk është as përrallë, as legjendë që bashkëkohësit e quanin Atlet të Krishtit dhe Mbrojtës të Europës. Deklarata e Thaçit duket se është bërë për interesa të politikës ditore: theksimi i qartë se Skënderbeu ishte hero që luftoi për mbrojtjen e civilizimit europian, me gjasë do ta zemëronte Turqinë, e cila prej vitesh kërkon ndryshimin e librave shkollorë në viset shqiptare. Andaj u zgjodh varianti i zhvlerësimit të Skënderbeut. Nëse Thaçi nuk kishte guxim të vlerësojë Skënderbeun ashtu siç e vlerësojnë të gjithë shqiptarët dhe historianët (madje edhe të huaj), atëherë më mirë të mos e përmendte fare.


25 vjet rezistencë kundër pushtimit osman nuk qenë një lojë fëmijësh. Që para kryengritjes Skënderbeu lartësohej si hero kristian nga ana e Dubrovnikut, Napolit dhe Papatit. Në biografinë e Skënderbeut historiani Oliver Jens Schmitt shkruan se Skënderbeu u bë figurë klasike e Rilindjes Europiane, simbol i luftës kundër osmanëve, dhe deri në shekullin e 18-të atij në mbarë Europën iu kushtuan biografi, pjesë teatrale dhe një operë nga Vivaldi. «Nga Italia në Suedi, nga Britania e Madhe në Rusi Skënderbeu u bë pasuri e përbashkët e europianëve të arsimuar», shkruan Schmitt. Të theksosh rëndësinë e Skënderbeut në përmasa reale nuk të bëjë asgjë me nacionalizëm, por me dinjitet publik. Thaçi dje e prezantoi Skënderbeun e ri: si njeri, si turist mes botëve. Të tjerët mund ta shohin


Seleksionimi i viktimave


Thaçi tha: «Jemi këtu. Pjesëtarët e komunitetit shumicë, pjesëtarët e bashkësive etnike dhe fetare, por edhe pjesëtarët e LGBTI (duhet të jetë LGBT, v.j.). Kemi qenë të bashkuar në kohë të mira dhe në situata të rënda».


Së pari shqiptarët të cilët përbëjnë mbi 90 për qind banorëve të Kosovës nuk janë komunitet. Pa dashur të futem në debatet identitare shpeshherë shterpe, duhet thënë se Kosova u bë shtet për shkak se këtë e deshi kombi shqiptar i Kosovës.


Është mirë që presidenti i ri dhe sundimtari i vjetër të përmend edhe pakicat seksuale, por do të ishte e ndershme të përmenden edhe viktimat e dhunës seksuale, të cilat nuk gjetën vend në fjalimin e tij. Kjo ishte edhe një shuplakë ndaj paraardhëses së tij, e cila ishte bërë avokate shpeshherë e mirë në betejën për detabuizimin e temës së rëndë të dhunimeve gjatë luftës. Me sa duket për skribomanët e Thaçit më «trendy» është vënia në plan të parë e preferencave seksuale të grupeve krejtësisht margjinale shoqërore, sepse kjo në sytë e ndonjë diplomati të kotësisë mund të shikohet me simpati, se sa përmendja e një gruaje të dhunuar nga ushtarët, paramilitarët apo milicët serbë. Kjo grua, ndoshta e veshur me dimi, nuk është «trendy», por «trendy» mund të jetë ai artisti, i cili pasi kishte nxjerrë bythët në një performansë artistike, shkoi bashkë me Thaçin në Paris për ta futur Kosovën në UNESCO. Dhe e futën


Përralla për luftën


Thaçi tha: «Kam qenë dëshmitar kur shokët e mi më kanë vdekur para syve». Kjo nuk përputhet me deklaratën e Thaçit dhënë euronews, kur thoshte unë «kam qenë larg fronteve të luftës». Atëherë ish-komisari politik i UÇK-së, të cilën spati kurajë ta përmend fare në fjalimin e tij, duhet të tregojë në çvrasje paskësh qenë dëshmitar. Duke qenë një kalkulant politik Thaçi luan me disa «të vërteta», varësisht nga publiku. Në televizionet shqiptare e përshkruan veten si luftëtar, në televizionet e huaja si strateg politik larg, shumë larg frontit. Dje kishte disa diplomatë aty dhe nuk ishte e rendit të përmendej as aparteidi i Serbisë në Kosovë, as Adem Jashari, as Ibrahim Rugova, as Fehmi Agani, as Gazmend Zajmi, as Anton Pashku, as Esad Mekuli, as Shtëpia Botuese Rilindja, as Adem Demaçi apo Idriz Ajeti. Historia nisë e mbaron me një njeri: Hashim Thaçin. Këta të tjerët janë veç disa figura sporadike. Kështu Thaçi (dhe fjalimshkruesit) e tij u përpoqën që konfliktin me Serbinë ta përshkruajnë si një kacafytje pijanecësh që krejt rastësisht janë takuar në Kijevë. Nëse kalemxhinjve të Thaçit u vinte vështirë ta përmendnin katundarin Adem Jashari, atëherë kanë mundur ta kujtojnë foshnjën Valmir Deliu të vrarë nga forcat serbe.


Dashuri e rrejshme


Thaçi tha: «Edhe sot ndër betejat tona kryesore është fryma e dashurisë ndaj njëri tjetrit». Flet për dashuri njeriu që erdhi në pushtet duke vjedhur zgjedhjet. Flet për dashuri njeriu që para pak javësh u tha qytetarëve paqësorë se ikën «me bisht ndër shalë». Flet për dashuri njeriu që është bërë simbol i keqqeverisjes, i korrupsionit, i tolerancës ndaj krimit të organizuar, i nepotizmit (mjafton të shikohet vetëm pasuria e familjarëve të tij). Njeriu që e luante rolin kryesor në aferën pronto. Hashim Thaçi e shpalli veten president të një populli heronjsh, por heronjtë e tij janë, në fakt, armiqtë më të mëdhenj të heronjve të vërtetë të këtij vendi. Vlerat në të cilat beson Hashim Thaçi nuk janë vlera me të cilat mund të identifikohet një qytetar normal i Kosovës, i cili fiton bukën me djersën e tij. Në fjalimin e tij Thaçi, mes tjerash, tha: «Duhet të jemi të qartë, për disa qytetarë politika është bërë një fushëbetejë monotone mes liderëve». Lojtari kryesor i kësaj fushëbeteje ishte pikërisht Thaçi dhe nga lojërat e tij janë neveritur qindra-mijëra njerëz të Kosovës. Vetëm në dy vitet e fundit mbi 100 mijë shqiptarë të Kosovës ikën me strajcate mjerimit drejt kampeve të ftohta të Perëndimit, në kërkim të bukës dhe jetës me dinjitet. Nuk ikën prej gazetarëve që luftuan për të vërtetën dhe denoncuan krimin, por ikën nga regjimi i Thaçit, i mbështetur verbërisht nga Lidhja Demokratike e Isa Mustafës.


Dhe në fund: poezi


Gjatë fjalimit të tij Thaçi tha edhe këtë: «Do ta përdori fanarin më të ndritshëm që edhe në errësirën më të thellë të gjejmë njerëz me të cilët mund të dialogojmë, me të cilët mund të ndërtojmë ura».


Problemi i urave është ky: Thaçi mund ti vardiset bashkësisë ndërkombëtare me premtime se do të krijojë ura me pasardhësit e Vojislav Sheshelit në Serbi, por një gjë është e sigurt: urat me shumicën e popullit shqiptar në Kosovë i ka minuar dhe hedhur në ajër. Tash na presin ndoshta pesë vite shou hashimian në përpjekjen dëshpëruese për tu dukur «djalë i mirë dhe i sinqertë». Por ku do ti gjejë besimtarët profeti ynë i ri?