Kush ka jetuar fillimvitet ’90 si adoleshente, padyshim që kujton që në murin e dhomës ka pasur të ngjitur një poster të Brandonit, apo Dylanit, personazheve të dashur të “Beverly Hills 90210”. Ndoshta posterat nuk janë më, por kurioziteti se ku kanë përfunduar aktorët e preferuar, nuk mund të mungojë. Aso kohe adhurueset e serisë mitike “Beverly Hills 90210” ndaheshin më dysh. Ishin ato që pëlqenin djalin e praptë Luke Perry dhe ato që pëlqenin djalin e mirë me sy bojëqielli Jason Priestley. Ndonëse më të rritura se atëherë, të gjitha adhuruest e tyre, mund t’i ndjekin sërish sëbashku, edhe pse jo në ekran. Priestley do të drejtojë “ish-shokun e shkollës”, Perry në “Goodnight for Justice”, ku do të interpretojë rolin e një gjykatësi në kërkim të drejtësisë për familjen e tij. Luke Perry nuk do të jetë vetëm protagonist, por edhe producent i serialit.
Pas suksesit të paparë të “Beverly Hills”, të paktë janë aktorët e trupës që vazhduan të aktrojnë e të jenë të suksesshëm. Vetë Jason Pristley pranon se iu vu regjisë vetëm të “hiqte qafe” personazhin e Brendonit, që e pengonte të ishte i besueshëm në role të tjera. Më me fat qëlloi “binjakja” e tij, Shannen Doherty, apo Brenda Walsh, e cila me gjithë problemet që ka pasur gjatë rrugës, ka mundur të ketë sukses në serinë “Shtrigat”, por edhe në filma të tjerë të rëndësishëm.
Për Brian Austin Green dimë vetëm që është martuar në Hawai me Megan Fox, ndërsa bukuroshja Jenny Garth, Kelly Taylor në film, ka marrë pjesë në disa telefilma. E martuar dy herë, ka edhe një vajzë me Peter Facinelli, doktor Cullen në sagën “Twilight”.
Mirë apo keq, diçka kanë bërë protagonistët e Beverly Hillsit, ndërsa ka aktorë të të tjera serialeve që kanë “vdekur” me personazhin e tyre. Një ndër ta është për shembull Lorenco Lamas, heroi i “Renegate”, që vraponte mes shkretëtirës me motorin e tij për t’u hakmarrë për të fejuarën e vrarë. U shfaq në dy sezone të serialit “Beautiful”, për t’u zhdukur më pas në asgjë.