Mikrondërmarrjet kanë qenë zemra e ekonomisë shqiptare në epokën e pas viteve 90. Pa ndonjë strategji dhe duke shkatërruar pothuajse çdo trashëgimi nga e kaluara, hapja e bizneseve të vogla në tregti e shërbime ishte modeli ku u vetorientua ekonomia vendase. Një model që kishte pak lidhje me vlerën e shtuar, produktivitetin, prodhimin e produkteve për të cilin ne mund të kishim avantazh konkurrues etj., por që i shërbeu të paktën vetëpunësimit. Shqipëria, rezulton një ndër vendet me normën më të lartë të vetëpunësimit në botë, ku rreth 30% e të punësuarve e kanë siguruar vetë jetesën nëpërmjet mikrondërmarrjeve.


Shqipëria është një nga vendet në rajon me produktivitetin më të ulët të punës, gati sa 1/3 e vendeve të tjera të rajonit. Mikrobizneset kanë qenë zgjidhje për të përballuar tranzicionin nga ekonomi e mbyllur në treg të lirë, por, nuk janë zgjidhje për zhvillimin ekonomik të vendit. Ekzistenca e shumë bizneseve të vogla nuk mund të sjellë progres teknologjik në sektorët ku ato operojnë për shkak të mungesës së kapaciteteve të nevojshme. Progresi teknologjik vjen si pasojë e konkurrencës, por, ai mund të realizohet vetëm nga kompani të mëdha të strukturuara që kanë kapacitet për të bërë investime në vlera të mëdha.


Pavarësisht se nuk ka ekzistuar ndonjë program për lehtësimin e procesit të strukturimit të ekonomisë shqiptare, duket se ekonomia shqiptare po u bindet ligjeve natyrale të saj. Për shkak të investimeve të mëdha të shumë kompanive shqiptare dhe futjes në treg të kompanive me kapital të huaj duket se ekonomia po fillon të strukturohet.


Hapja e qendrave të mëdha tregtare dhe e rrjeteve të supermarketeve ka rritur konkurrencën dhe po vështirëson tregun e bizneseve të vogla. Kjo u bë më e dukshme në vitin 2017, ku të dhënat e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve të INSTAT tregojnë se ndërmarrjet mikro me 1 deri në 9 të punësuar, që përbëjnë 94% të totalit të bizneseve në vend, u reduktuan në numër, ulën shitjet, të punësuarit dhe vlerën e shtuar në krahasim me vitin e mëparshëm. Zgjidhja e këtyre bizneseve mbetet përmirësimi i produkteve që ofrojnë dhe i shërbimit, investimet, rritja e produktivitetit ose dalja nga tregu.


Ndërmarrjet e Vogla (10-49 të punësuar), Ndërmarrjet e Mesme (50-249 të punësuar) dhe Ndërmarrjet e Mëdha (250+ të punësuar), kanë parë rritje të punonjësve, shitjeve dhe vlerës së shtuar. Në total, ekonomia në 2017-n gjeneroi shitje prej 2 trilionë lekësh, ose gati 16 miliardë euro, me një rritje prej 8.3% me bazë vjetore. Ndikimin kryesor në rritjen e shitjeve e dhanë ndërmarrjet e konsideruara të vogla, me 10-49 të punësuar, të cilat raportuan një zgjerim të shitjeve me 18%. Ndërmarrjet e mesme i zgjeruan shitjet me 17% dhe ato të mëdha me 11%. Ndërsa shitjet e mikrondërmarrjeve ranë me 13%.


Për ekonominë shqiptare kjo është gjë e mirë. Ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha janë më produktive se mikrondërmarrjet dhe si pasojë ofrojnë paga më të larta. Gjithashtu, ato kanë kapacitetin ti përgjigjen konkurrencës në rritje nga tregu i brendshëm por edhe ai i jashtëm nëpërmjet investimeve. Këto investime do të rrisin punësimin dhe gjithashtu do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në ekonomi. Avantazh i strukturimit të ekonomisë është edhe ulja e informalitetit pasi sa më i madh një biznes aq më vështirë e ka që të qëndrojë në kushtet e informalitetit. Kjo do të sjellë si pasojë edhe përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit shqiptarë. Pra, pavarësisht rrezikut të mbylljes së mikrondërmarrjeve dhe rritjen e papunësisë në afatshkurtër, ekonomia shqiptare nuk rrezikon. Kjo në rastin kur mbyllja ka ardhur si pasojë e një cikli natyral të ekonomisë.


Atlasi