Alket Arapaj dhe bashkëshortja e vrarë

Numri i grave të vrara po rritet në mënyrë të frikshme dhe po kaq i frikshëm është fakti që nuk ka një reagim nga shoqëria në lidhje me këto tragjedi.


Sot, një tjetër grua, nënë e një vajze të mitur u vra në mënyrë mizore nga bashkëshorti i saj gardist.


Në vetëm 42 ditë të këtij viti, 6 gra janë masakruar duke lënë pas fëmijëve jetimë, prindër të vrarë në shpirt dhe plot vuajtje e dhimbje për njerëzit e afërt.


Tirana u zgjua sot me një lajm të tmerrshëm. Një 44-vjeçar, Alket Arapaj punonjës prej 21 vitesh i Gardës së Republikës vrau me armën e shërbimit bashkëshorten e tij 36-vjeçare. Si për ironi, të dy ata ishin praktikantë të fesë islame dhe sipas fesë së tyre çdo lloj agresioni është i dënueshëm nga Zoti.


Një tjetër ngjarje që tronditi opinionin publik ishte vrasja e ndodhur në qytetin e Vlorës, ku 42-vjeçarja Eva Lera u mbyt deri në vdekje nga bashkëshorti i saj, 53-vjeçari Teodor Lera.


Krimi i rëndë në familjen vlonjate ishte deri diku i paralajmëruar, pasi viktima ishte dhunuar sistematikisht nga kryefamiljari, i cili pas aktit të rëndë tentoi ti jepte fund jetës duke prerë damarët.


Por, 2019 nisi me një tjetër ngjarje tronditëse, të ndodhur më 2 janar në qytetin e Ballshit, ku emigranti 34-vjeçar Gazment Musta, la të vdekur bashkëshorten e tij dhe kunatën 18-vjeçare pas një sherri banal.


Viktimat Gentjana Musta dhe Merisa Çaushi u ekzekutuan nga autori që ishte në gjendje të dehur, pasi bashkëshortja i kishte kërkuar atij të shkonte tek prindërit e saj me rastin e Vitit të Ri dhe ai kishte refuzuar.


Një tjetër ngjarje e rëndë ishte ajo që ndodhi më 14 janar në zonën e Unazës së Re në Tiranë, ku dhëndri Majlind Lala vrau me armë vjehrrën dhe vjehrrin e tij po pas një sherri banal dhe më pas i dha fund jetës.


Bujar Mata, 63 vjeç dhe gruaja e tij Valentina Mata, 52-vjeç u gjetën të vrarë në banesën e tyre në lagjen Kristaq Mone, ndërsa vajza e tyre e shokuar mori lajmin e kobshëm në Suedi, ku edhe kishte jetuar me ekzekutorin Majlind Lala.


Gazeta Shqip