Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Kosovën e gjen të papërgatitur për ta luftuar këtë dukuri negative, thanë përfaqësues të shoqërisë civile në një tryezë të organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Kryeministrisë, në bashkëpunim me Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ndërsa zyrtarë të lartë të ekzekutivit dhe drejtues të sistemit të drejtësisë, thanë se për të luftuar korrupsionin në Kosovë nevojitet një guxim dhe bashkëpunim i të gjitha institucioneve të vendit. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, deklaroi se 9 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, është një rast i mirë për t`i fuqizuar edhe më shumë mekanizmat në luftën kundër korrupsionit. Kuçi përsëriti se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për ta luftuar korrupsionin dhe dukuritë e tjera negative.Nga ana tjetër, kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, tha se ndryshimet në infrastrukturën ligjore do të krijojnë një ambient edhe më të mirë për t`i luftuar dukuritë negative. Ai theksoi se humbjet nga korrupsioni paraqesin një shqetësim serioz për stabilitetin dhe sigurinë e çdo shteti. Ai, po ashtu, u shpreh se Prokuroria e shtetit mbetet e përkushtuar për t`i vazhduar përpjekjet drejt arritjes së qëllimeve të përbashkëta për ta luftuar në mënyrë efikase korrupsionin.