Ideja e ndryshimit të kahjes së autostradës “Ibrahim Rugova”, e dal pas takimit të dytë të kryeministrit, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq, është hedhur poshtë nga numri dy i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, duke thënë se askush Kosovës nuk mund t’ia ndryshon rrugët. Gjithashtu, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës është e interesuar që në bisedimet e ardhshme me Serbinë të inkuadroj edhe opozitën dhe shoqërinë civile.

Pas mbledhjes së kabinetit qeveritar në një konferencë për media, Hajredin Kuçi ka thënë se çështja e autostradës është ende si ide, por, siç ka thënë ai, logjika e Qeverisë është që të bëhet nga buxheti i Bashkimit Evropian. Madje, ai ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet kinse Serbia do ta ndryshoj kahjen e autostradës “Ibrahim Rugova”.

“Unë i kam dëgjuar ato dhe i kam parë në mediat tonë. Nuk ndryshon askush në Kosovë rrugë dhe ne e kemi një fobi çka të përmendet në raport me Serbinë. Sa të kemi pare kemi me maru autostrada dhe rruga e kombit u është ndërtuar tash. Kështu që nuk bëhen autostradat me vendime politike, por me vendime buxhetore. Brenda Kosovës çka të na merr mendja kemi me bërë, por duhet me bërë atë që kemi pare dhe ligj”, ka theksuar Kuçi.

Ndërkohë i pyetur rreth inkuadrimit edhe të opozitës apo oponentëve të tjerë në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, zëvendëskryeministri ka thënë se Qeveria e Kosovës është e interesuar për spektër më të gjerë të involvuar në këtë proces.

“Qeveria e Kosovës është e interesuar të ketë një spektër më të gjerë të përfaqësimit qoftë të përfaqësimit, qoftë të ekspertizës sipas temave që do të diskutohen. Ne do t’i përfshijmë njerëzit adekuat edhe të partive politike opozitare, por edhe të ekspertëve edhe të shoqërisë civile”, ka deklaruar ai.

Lidhur me takimin e ardhshëm të dy kryeministrave, ai ka thënë se pas takimit të tretë pritet të ketë më shumë qartësim të procesit dhe fillim të implementimit të marrëveshjeve.