Kufiri Kosovë-Serbi është tema më e nxehtë e kësaj vere, që ka ngritur në hava politikën edhe në Shqipëri, ku qeveria dhe opozita duket se mbështesin ide të ndryshme për zgjidhjen e çështjes.


Në një postim të bërë sot në Facebook, ministri i Diasporës, Pandeli Majko i përgjigjet deputetit demokrat Tritan Shehu, i cili pati thënë në një studio televizive se ideja për ndryshimin e kufijve e hapur së fundmi e mori zanafillën në një deklaratë të ministrit Majko në një ambient të papërshtatshëm duke hedhur një ide të tillë që nga janari kryeministri do rrëzojë kufirin Shqipëri-Kosovë.


Duke thumbuar Shehun, ministri i Diasporës thekson se as serbi Gjuriç nuk e rëndoi kaq shumë këtë deklaratë të pathënë.


Majko nënvizon se ai thjeshtë ka shprehur bindjen se duhet të ketë liri në lëvizjen Shqipëri-Kosovë dhe kjo është keqinterpretuar nga Shehu.


Të lidhësh dëshirën për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës, me temën ndryshimit të kufijve është papërgjegjshmëri. Kjo temë është dakordësuar midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe u ripohua sërish nga Kryeministri Haradinaj gjatë vizitës së fundit në Vlorë, deklaron Majko.


Majkon shton më tej se Rrëzimi i kufirit si term, përdoret në rastet e embargove.


Lëvizja e lirë nuk ndryshon kufijtë. Ndryshimi i kufirit nuk është funksional në kohët e reja të procesit të integrimit europian. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të bëjnë dy gjëra të kundërta në të njëjtën kohë. Këto dy shtete nuk mund të ndahen për tu integruar. Integrimi europian është një proces ku shqiptarët kanë hyrë pasi aty përfaqësohen edhe interesat e tyre. Kjo i bën ata protagonistë dhe jo frikacakë. Sigurisht, shkruan Majko në Facebook.