Pushuesit ankohen më së shumti për zhurmat në plazh dhe pushtimin e hapësirave publike. Por për policinë problemi më i zakonshëm është humbja e fëmijëve. Ata i largohen kontrollit të prindërve dhe lajmërojnë policinë.



Festim Karriqi është efektiv në stacionin policor të Golemit. Ai ia ka dale me sukses të gjejë të gjithë fëmijët e humbur në territorin që mbulon.


12 orë në ditë ai së bashku me kolegët patrullon në zonën e plazhit për ti ardhur në ndihmë pushuesve.


Zakonisht na drejtohen për qetësinë publike që ne e kemi parësore. Kjo është një zonë e qetë me pushues familjarë, por problematikë mund të them humbja momentale e fëmijëve pasi ne i kemi gjetur. I bëjmë apel prindërve, moshave madhore që të tregohen të kujdesshëm me fëmijët, shprehet Festim Karriqi.


Këtë vit zona e Golemit po frekuentohet shumë edhe nga turistë të huaj të cilët për ndihmë kontaktin e parë e kanë me policinë.


Polakë, çekë, bullgarë, maqedonas. Na kërkojnë ndihmë kur humbin rrugën ose nuk gjejnë resortet, apo për vendndodhjen e bankomateve për të tërhequr para, thotë Karriqi.


Që prej 1 korrikut në të gjithë vijën bregdetare të vendit janë dislokuar 1100 efektivë të cilët në bazë të planit të masave do shërbejnë deri në fund të gushtit.


18 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)