Sot, ikona e muzikës shqiptare Vaçe Zela do të mbushte 75 vjeç. Së shpejti, shtëpia botuese Saras do të botojë librin e mikeshës së saj, Violeta Librazhdi-Kadzadej, E papërsëritshmja Vaçe


vace zela

vace zela 1987

vace zela lemza

vace zela e re me kitare

vace zela bw

vace zela


Sot ajo do të ishte 75 vjeçe. Në apartamentin e saj në Bazel në Zvicër, çdo 7 prill zilja e telefonit nuk pushonte. Miq, familjarë apo dhe të panjohur i uronin ditën e lindjes ikonës së muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela. Por sot, telefoni do të rrijë i heshtur, ashtu si gjithçka që ajo ka lënë pas, kur iku përgjithmonë. Ndarja nga jeta e artistes më 6 shkurt të këtij viti, ishte një humbje e madhe për kulturën shqiptare. Vaçe Zela nuk ishte vetëm këngëtarja e madhe, por dhe historia e një gjysmëshekulli e muzikës sonë të lehtë. Shtëpia botuese Saras do të hedhë së shpejti në treg librin E papërsëritshmja Vaçe, shkruar nga mikesha e saj Violeta Librazhdi-Kadzadej. Libri është një biografi e mbushur me kujtime dhe detaje nga jeta e një këngëtareje të jashtëzakonshme. Ky libër e bën më të plotë dimensionin njerëzor të një artisteje që të rrëmbente me zërin e saj. Sot është një ditë për të kujtuar një yll të muzikës shqiptare, e cila nëse do të kishte jetuar në një tjetër kohë, do të kishte qenë një yll në qiellin e botës. Vaçe Zela lindi në vitin 1939 në buzë të kënetës së Tërbufit në Lushnjë. Që e vogël u dallua për karakterin e saj artistik. Fillimisht u vu re dëshira e saj e madhe për të kënduar dhe për të kërcyer. Prandaj, më vonë vijoi mësimet në Liceun Artistik Jordan Misja, për të qenë në grupin e artistëve të rinj që do të përfaqësonin Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, në vitin 1956. Asokohe ishte vetëm 17 vjeçe, ky ishte ballafaqimi i saj i parë me skenën ndërkombëtare. Kështu, dalëngadalë, që nga ajo ditë filloi të bëhej e njohur edhe brenda vendit. Pjesëmarrja e saj në estradën e qytetit dhe në shfaqjet nëpër mbarë Shqipërinë ishin një ogur i mirë për rrugën që kishte nisur. Në vitin 1961 filloi të ishte pjesë e Estradës së Ushtarit. Nga këtu nisi edhe karrierën artistike në kryeqytet. Mori pjesë në festivalin e parë të këngës së lehtë në radio në vitin 1962, për të interpretuar deri në vitin 1981 në Radio- Televizion, ku u shpall dhe fituese e çmimit të parë. Studioi për art dramatik, por iu kushtua këngës së lehtë dhe këngës së përpunuar popullore. Ka marrë pjesë në 26 festivale kombëtare, ku ka fituar 10 herë vendin e parë. Vaçe Zela ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit. Zërin e saj e dëgjon te filmi Në shtëpinë tonë. Në vitin 2008, me rastin e 69-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi titullin Nderi i Kombit me motivacionin: Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor. Ajo ishte gruaja e parë shqiptare e nderuar sa ishte gjallë me titullin Nderi i Kombit. Gjithashtu mban edhe titullin Artiste e Popullit. Materialet muzikore që Vaçe Zela interpretoi gjatë gjithë krijimtarisë në Radio Tirana, me rastin e 70-vjetorit të lindjes iu regjistruan në CD-në Larg dhe pranë njerëzve. Numërohen rreth 55 këngë që prej fillimit të karrierës në vitet 60 e deri në festivalin e fundit në RTSH. Disa nga këngët që do të mbeten në kujtesën e publikut janë: Fëmija i parë, kompozim i Agim Krajkës, të cilën Vaçja e ka kënduar në vitin 1962 në Festivalin e Parë të Këngës, E dua vendin tim, Djaloshi dhe shiu, Dritaren kërkoj, Lumi Ebro, Për ty o këngë, Manushaqja, Esperanca këngë kubane kënduar po në vitin 1962 në shoqërinë e kompleksit ritmik, këngë nga filmi Karmen, Një zambak i bardhë në gur etj. Vaçe Zela ka bashkëpunuar me kompozitorët më në zë të muzikës së lehtë shqiptare, si: Tish Daija, Agim Krajka, Kujtim Laro, Shpëtim Kushta, Avni Mula, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci, Aleksandër Peçi, Agim Prodani etj. Përfundimisht u largua nga skena në vitin 1990. Më poshtë po botojmë disa pjesë nga libri në proces i shtëpisë botuese Saras.


 


Box


Vaçe, jo elegji për ty


(Shkruar në shkallët e operës, 8 shkurt 2014, ora 11:00 Tiranë)


Telefonata e Irmës, zëri ngashërues i saj diçka më këputi në zemër atë mëngjes. Këtë radhë, ti gabove vërtet. U bashkuan tek unë në çast monologu dhe dialogu dhe të flas thjesht, thjesht siç ka qenë dashuria e prindërve të tu, thjesht siç ka qenë dashuria që ata të rritën ty dhe ajo dashuri që ju bashkoi ju të gjashtëve. Të shprehem thjesht si shoqëria dhe miqësia jonë, si dashuria që ju ngrohu ju, të gjashtëve në të ftohtë, u rrotullua mes jush, ju qetësoi dhe shpesh ju lumturoi. Atë dashuri ti e solle të pastër në familjen që ti krijove me Pjetrin, që e adhurove dhe që ta kthehu atë adhurim me fisnikëri, me Irmën tendë lule dhe thesar.


Po të shprehem ashtu si çuçurisnim kur ishim pesë vjeçe, ashtu si pëshpëritnim në adoleshencë, ashtu si flisnim vesh më vesh në rininë tonë dhe më pas kur bisedonim për vajzat tona.


Nuk po të flas me fjalë të mëdha se e madhe u bëre vetë ti, arrite të madhërishmen ti vetë, atë të madhërishme që do ta kishte zili mbretëresha rrethuar me diamante dhe miliarderi zhytur në miliardat e veta. Kjo u tregua thjesht kur njerëzit ngrinë kur dëgjuan atë lajm, kur u ngulën me orë të tëra para ekraneve të televizorëve duke shpresuar pavërtetësinë e atij lajmi kobzi.


Asnjëherë lulishtarët nuk kanë shitur aq shumë lule sa sot, asnjëherë sheshi para pallatit dhe shkallëve të operës nuk do të kishin ndier aq shumë këngë, që mblidheshin aty pa lisat, pa urdhër


Sa larg të kam mikja ime, por sa afër më je dhe sa pranë do të të kem Të dua fort.


Leta


Takimi i parë


Sapo kisha mbushur 5 vjeçe e gjysmë, kur Bardha, motra ime, iu lut babait të më merrte në shkollë edhe mua. Nëna na veshi bukur e pastër dhe unë, shumë kureshtare, desha të shoh e të fiksoj gjithçka që shihja gjatë rrugës. Motra më la në një klasë të madhe, në duar të një gruaje me flokë të bardhë, çuditërisht shumë të bukur, zonjushës Sofi.


Klasa qe e ndarë në dy rreshta, në njërën grupi i foshnjores, ku u ula unë, dhe rreshti tjetër i klasës së parë. Hodha sytë përqark dhe i ndala te një fytyrë e njohur, që e kisha parë kur shkoja me nënën tek Abllaja. Ishe ti.


Cila?


Më pas dolëm nga klasa dhe, sipas sistemit të atëhershëm të shkollës, duhet të bënim disa