Kthimi i beftë në atdhe më 1960-ën, fillimi i punës në regjimentin e aviacionit «23 Peza» në Kuçovë, stërvitja e parë në çift avionësh mbi lumin Shkumbin. Kujtimet e rralla të pilotit Hamza Koçi

Për shekuj me radhë, njeriu ka ëndërruar të fluturojë. Grekët e lashtë shpikën Ikarin me flatra prej dylli, ndërsa shumë kohë më pas Leonardo Da Vinçi përfytyroi një makinë fluturuese që nuk u çua dot në fluturim. Por ëndrra nuk mori fund me kaq. Përpjekjet vijuan derisa një shekull më parë njeriu ia doli më në fund mbanë «t’i bëjë zap qiejt»…


Diku në viset e pamata të kësaj aventure qiellore të njerëzimit zuri fill e buiti edhe ëndrra dikur e drojtur e një djaloshi shqiptar që do të shdërrohej në rrjedhën e viteve në një pasion të jashtëzakonshëm.


Këtë lëndë të rrallë jetësore ngërthen libri Kujtimet e një piloti i Hamza Koçit.


Nëse te Fluturim natën, Tokë e njerëzve a Pilot lufte shkrimtari i madh frëng Antuan de Sent-Ekzyperi përcjell përjetimin mrekullues ende fillestar të njerëzimit karshi mahnisë fluturuese me ngjyrat e tragjikes, Hamza Koçi shpalon në shtjellat e rrëfimit autobiografiko-letrar thuajse zanafillën e një brezi themelonjës të aviacionit shqiptar. Kujtimet e nje piloti shndërrohen ca nga ca në një doracak të vyer, në një dëshmi të rëndësishme mbresëlënëse, ku përmes kuturisë vetjake fluturuese të njërit prej pionierëve tanë të ajrit, hidhet dritë, si rrallëherë, mbi shumë aspekte të panjohura të aviacionit shqiptar në një periudhë kur rrezikut të përhershëm të rrugëve ajrore, mbarsur me një mori të papriturash, u shtohej edhe kanosja e acarit që vinte nga Lufta e Ftohtë, duke e veshur sakaq çdo fluturim me tonin drithërues të një epopeje që mund të shndërrohej papritmas në një betejë të mundshme për jetë a vdekje.


Në faqet e këtij libri, kujtimet e aviatorit shqiptar, të qëmtuara e të renditura me një saktësi mbresëlënëse, shkrihen harmonishëm me aq shumë detaje jetësore e fotografi që na e sjellin rrëfimtarin disi më pranë si për ta bërë sa të ndjeshëm aq edhe njerëzor.


Gjithçka nis atje, te fëminia e largët, në një kullë të vendlindjes, mbi një kodër, diku në luginën e gjërë ku Drini i Bardhë bashkohet me Drinin e Zi, karshi ish Kukësit të Vjetër, tashmë nën ujrat e Fierzës. Dhe vijojnë dora-dorës përshkrimi prekës i viteve të fëmijërisë, pa baba, vetëm me Loken që «i përshkruante me ngjyra të gjalla masakrat, plaçkitjet dhe barbaritë e serbëve në vjeshtën e vitit 1913-të, teksa banorët e fshatit Perbeg u shfarosën, gra e fëmijë i çponin me bajoneta, fëmijët i hidhnin në zjarret e shtëpive që digjeshin» e tok me to për herë të parë edhe kulla.


Më pas vjen shkollimi fillimisht në Brrut, fshatin e lindjes, për të vijuar në Kukës e më tej në shkollën ushtarake «Skënderbej» në Tiranë, nga ku më 12 Korrik 1957 do të nisej për studime në Bashkimin Sovjetik (Rusi), në shkollën e famshme të aviacionit «Çkallov» të qytetit Borisoglebs. Teksa përshkruan me shumë emocion fluturimet e para njohëse, miqësimin me ajrin, me avionin e parë mësimor me helikë, piloti urtak nuk harron të ravijëzojë me penelata të përhime vështirësitë e mëdha të dimrit të ashpër rus që i bënte fluturimet edhe më të veçanta. Në këtë vend të mbuluar dinkas me dëborë, «avionëve, në vend të rrotave u vendosnin ski».


Pasi bën një paraqitje diturake të cilësive të larta manovruese e aftësive fizike, psikologjike e emocionale, të domosdoshme të pilotit në fluturim, autori përcjell me një erudicion profesional për t’u patur zili, njohuri mbresëlënëse mbi praktikat e fluturimeve, llojet e avionëve reaktiv luftarak gjuajtës bombardues, shumëllojshmërinë e pajisjeve e mjeteve të sigurimit të jetës së pilotit, praktikat e hedhjes me parashutë si dhe marrëdhëniet me studentët shqiptarë të aviacionit: pilotë, teknikë, shturmanë, radistë, gjithë këtë grup fluturuesish të papërsëritshëm për të cilët instruktorët, pedagogët dhe komanda flisnin përherë me adhurim. Mbresa të veçanta lë përshkrimi i kthimit të beftë në atdhe më 1960-ën, fillimi i punës në regjimentin e aviacionit «23 Peza» në Kuçovë, stërvitja e parë në çift avionësh mbi lumin Shkumbin, stërvitjen e parë ushtarake në qiellin e vendlindjes, në Kukës, në shtator të vitit 1961, si pilot i parë kuksian, e deri tek përvoja si komandant në aerodromin e Tiranës, aty ku dhe nisi ëndrra për fluturim.


Te libri Kujtimet e një piloti, një vend të rëndësishëm për aviacionin shqiptar zë edhe paraqitja e aerodromeve standarte me pista betoni si ai i Kuçovës, Rinasit e Gjadrit; përshkrimi i aerodromeve operative me shtrirje të gjërë gjeografike si ai i Pishe Poros, i Cërrikut, i Lumalasit, i Shtojit dhe i një morie fushash ulje-ngritjesh për avionët me helikë, si fusha e aviacionit të Sarandës, Gjirokastrës, Fierit, Lushnjës dhe Kavajës, duke bërë edhe lidhje ndërkohore të dobisë së tyre si fusha e aviacionit në Kukës e cila shërbeu shumë edhe gjatë luftës së Kosovës më 1999, ku operonin avionet me ndihma.


Në përshkrimin e programeve fluturuese në të gjitha kushtet meteorologjike ditën e sidomos natën, coha rrëfimtare e pilotit shqiptar ngjan si dy pika uji për nga tëhollia dhe vërtetësia e lëndës me thurimën e Sent-Ekzyperise tek Fluturim natën, ku heroi i qiejve, po t’i referohemi parathënies së Andre Zhidit, ngrihet sigurisht në lartësinë e një virtyti mbinjerëzor. Ajo që të befason e të josh më tepër në këtë rrëfim fërgëllues, është sidomos fisnikëria e protagonistit, e pilotit (njeri) vazhdimisht kërkimtar në viset e përsosurisë: ai kapërcim i vetvetes falë një vullneti këmbëngulës, guximtar e largpamës në hapësirë e në kohë. Përmes pikturimit të kësaj tabloje me penelin e fjalës sqimatare, ku spikat herë ankthi i alarmit në situata të përgjithshme luftarake e herë gëzimi i një përgjegjësie të re a i një arritjeje në teknikë të lartë pilotimi, hidhet kryesisht dritë mbi një të vërtetë disi paradoksale por me një rëndësi psikologjike të veçantë: lumturia e njeriut nuk qëndron thjesht tek liria, por edhe tek pranimi i një detyre.


Njësoj si te vepra e Ekzyperisë, sejcili nga personazhet parësore të librit Kujtimet e një piloti është plotësisht i përkushtuar ndaj asaj që duhet të bëjë, karshi detyrës që i është besuar, anipse tejet e vështirë.


Zaten vetëm tek përmbushja e saj me përpikmëri e gjen protagonisti prehjen e lumturinë e plotë. Në një kohë kur nocioni i heroizmit është zgërlaqur e trimëria burrërore ka hyrë në qorrsokak, meqë virtytet e epërme, siç shprehet Andre Zhidi, ka të ngjarë të mos hyjnë më në punë për gjësend në të ardhmen, a nuk shohim ende tek aviacioni shpalimin më të arrirë e më të dobishëm të guximit njerëzor?


Vërtetë kemi lexuar edhe rrëfime të tjera për jetë pilotësh a flota e flotilje të ajrit. Ndonjëherë madje me zulmëmëdha. Mirëpo Kujtimet e një piloti të Hamza Koçit, praruar nga drita e përshkëndijimeve letrare, mbartin përpos të tjerash vlerat e vyera të një dokumenti autentik për cilindo që ia ka ënda të njohë diçka më shumë mbi historinë kërshërindjellëse të aviacionit shqiptar në gjysmë shekullin e zihirtë që sapo lamë pas.


Veç dikush me zemër të madhe mund të përvijojë me aq dashuri në trajtat e rrëfimtarisë ngasëse, rrugëtimin e pashoq të një jete magjiplote, porsi zog i lirë në flatrim të paprerë midis Tokës e Qiellit.


Ja përse, porsi për Princin e vogël a Fluturim natën të Sent-Ekzyperisë, mirënjohja e lexonjësit merakli merr trajtat e falënderimit më të çiltër për këtë shtegtim rrëfimtar sa ekzotik aq edhe diturak në viset e së bukurës, e guximit dhe dashurisë për Jetën.