Një aksident rrugor i ndodhur në rrugët rurale të Kukësit u ka marrë jetën dy personave dhe ka lënduar rëndë dy të tjerë. Shukri Martini, 60 vjeç, dhe Servete Martini, 40 vjeçe, nga fshati Shkinak i Komunës Grykë e Çajës kanë gjetur vdekjen, kur automjeti tip "Mercedes Benz", që drejtohej nga Shukriu, ka rënë në një humnerë me mbi 100 lartësi. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Ura e Shkinakut, në afërsi të fshatit me të njëjtin emër, 40 km larg nga qyteti i Kukësit në një terren tepër të vështirë. Në automjet kanë qenë edhe shtetasit Rukije Martini, 55 vjeçe, e shoqja e Shukriut, si dhe djali i tyre, Xhevahir Martini, 30 vjeç, të cilët janë plagosur dhe janë dërguar menjëherë në spitalin e Kukësit, ku e kanë kaluar rrezikun për jetën. Tre nga personat në automjet kanë qenë të një familjeje, ndërsa 40-vjeçarja Servete Martini, një kushërirë e afërt e tyre. Burime nga vendi i ngjarjes thanë se Martinët kanë qenë duke shkuar te disa të afërm të tyre, kur dalja nga rruga e automjetit u ka kushtuar jetën dy personave. Banorët e fshatit Fshat dhe Grykë Çajë kanë nxjerrë nga honi trupat e pajetë, ndërsa në familjen Martini në Shkinak ka nisur morti. 30-vjeçari Xhevahir Martini, një nëpunës komune, si dhe nëna e tij ndodhen në spital në gjendje të rëndë, pa mundur të marrin pjesë në përcjelljen e fundit të të zotit të shtëpisë dhe të kushërirës së tyre. Burime të policisë, që konfirmuan ngjarjen, thanë se për këtë është ngritur një grup pune, i cili po punon për zbulimin e shkaqeve të aksidentit. Paraprakisht mendohet se shkaku ka qenë lagështia në rrugën e fshatit, që sipas parametrave normale vështirë se mund të quhet rrugë, pasi nuk ka asnjë masë paralajmëruese, apo mbrojtëse dhe është tepër e ngushtë. Në Shkinak, një vit më parë ka ndodhur një aksident i ngjashëm, ku gjetën vdekjen edhe atëherë dy persona, ndërsa para pak ditësh në afërsi të Çajës, përkatësisht në Buzëmadhe, një furgon me targa Dibre ra në humnerë, por për fat shpëtuan me lëndime jo serioze katër persona.