Një avion i kompanisë ajrore, "Star way", ka kryer një fluturim prove në aeroportin e Kukësit, duke synuar hapjen e një linje të brendshme pasagjerësh. Drejtori i këtij aeroporti, Ramiz Lala, tha për gazetën "Shqip" se për momentin nuk ka një linjë ekzistuese, por pritet që një e tillë të vendoset brenda pak kohësh. "Ka qenë një fluturim provë, pasi me përfundimin e autostradës mund të nisë edhe një linjë ajrore që do të lidhë Tiranën me Kukësin. Linja fillimisht mund të funksionojë një herë në javë, më pas sipas kërkesave mund të bëhet më e shpeshtë", ka thënë Lala. Bëhet fjalë për një linjë të brendshme shqiptare, pasi, siç dihet, asnjë fluturim ndërkombëtar nuk mund të bëhet në aeroportin e Kukësit, për sa kohë ekskluzivitetin e linjave me jashtë e ka vetëm aeroporti i Rinasit. Prej tre vitesh që kur është inauguruar aeroporti i Kukësit, nuk kanë reshtur negociatat për "të lëshuar pe" me kompaninë gjermane që administron aeroportin "Nënë Tereza", por rezultati ka munguar. Ndoshta edhe kërkesat për fluturime ndërkombëtare në Kukës kanë qenë minimale, të paktën për një pjesë të Kosovës, që mendohet se do të zgjedhin Kukësin për udhëtime nga ajri. Me infrastrukturën e deritanishme aeroporti është konsideruar shumë i izoluar, por me inaugurimin e autostradës ky aeroport do të integrohet shumë mirë mes dy kryeqyteteve, Tiranës dhe Prishtinës. Ai u ndërtua në dekadën e fundit me donacione të Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat kapën shumën prej 30 milionë dollarësh amerikanë, ndërsa vendimi për ndërtimin e tij u mor gjatë vitit 1999, që njihet si viti i krizës së Kosovës.