Universitetit të Kukësit i shtohen edhe dy degë të reja, anglishtja dhe infermieria. Në Fakultetin e Anglishtes do të pranohen rreth 25 studentë, ndërsa dega e Infermierisë do të pranojë për vitin akademik 2008-2009 rreth 60 studentë. “Do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të krijuar kushte optimale të mësimdhënies në kushtet e zgjerimit të Universitetit të Kukësit”, - u shpreh kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj. Sipas tij, në muajin qershor në qytetin e Kukësit do të organizohet edhe një simpozium shkencor për mundësitë që ka zhvillimi i arsimit të lartë në këtë qytet. Në qytetin e Kukësit problem kryesor mbetet çështja e strehimit të studentëve në konvikte, të cilët duhet ta zgjidhin vetë problemin e strehimit.
Kryetari i Bashkisë së Kukësit shpjegoi se edhe për vitin e ardhshëm akademik është vendosur që strehimi të zgjidhet nga vetë studentët, ndërsa nga bashkia do të vazhdohet të punohet për shtimin e mjediseve të mësimdhënies. Këtë vit akademik në qytetin e Kukësit u ngrit Dega Ekonomi-Biznes. Në vitin e parë vijojnë mësimet 76 studentë, mes të cilëve ka edhe nga Tirana e Lushnja.

28 Shkurt 2008