Një vit më parë, Kukësi-Partizani ishte një sfidë për titull, një vit më pas Kukësi-Partizani është shndërruar në një duel shpëtimi, jo për qëndrimin, por për të ardhmen e stafeve teknike. Përpara duelit të së hënës, te të dyja skuadrat jepen ultimatume, që sfidat e radhës të prodhojnë rezultatet, pikët por dhe lojën e pretenduar në fillim të sezonit.


Në Kukës, Milinkovic ndihet i rrezikuar pas 3 barazimeve radhazi dhe diferencës -7 nga Skënderbeu kryesues, por kjo me Partizanin mund të jetë ndeshja e kthesës për të dhe Kukësin.


Katër takimet e fundit mes dy ekipeve nuk kanë prodhuar fitues dhe të mundësh Partizanin, që gjithashtu ka nevojë për pike, duket një detyrë e vështirë, megjithatë duket se këtë herë Milinkoviç nuk ka shumë zgjedhje, pasi pozitat e tij do të rëndoheshin dhe më tepër. Në krahun tjetër, Partizani ka një seri prej 3 humbjesh radhazi, të shoqëruara dhe me 3 ndeshje pa gol, që konfirmojnë mbi të gjitha dhe problemin në sulm.


Takimi i parë i Starovës në stol nuk solli ndonjë ndryshim dhe për faktin se periudha ishte tejet e shkurtër, por dhe për të kuqtë vlen i njëjti diskutim si te Kukësi, duhet rezultati.


Një rezultat, që nëse do të vinte përballë Kukësit, mund të ndryshonte dhe humorin, por dhe të kthente sezonin për Partizanin, sepse, është e vërtetë që në fazën e dytë të kampionatit Kukësi-Partizani nuk është më një duel titulli, por pikërisht kjo sfidë mund të jetë një pikënisje drejt korigjimit të një sezoni që ka nisur me këmbën e mbrapshtë.


19 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)