Ditën e nesërme (16:30) luhen finalja e sezonit, Kukësi-Skënderbeu, ku në mes është titulli kampion, por edhe sakrificat e një sezoni të tërë. Për Kukësin sidomos është mundësia për të kurorëzuar një cikël suksesi në erën Gjici me një titull të parë historik për klubin verilindor.


Për Skënderbeun është mundësia e një rikuperimi të pabesueshëm për ta vendosur më pas titullin në shtëpi përballë Partizanit. E sigurt është se të gjitha kombinimet të çojnë aty në “Zeqir Ymeri”, ku pakkush mund të imagjinonte para pak vitesh kur stadiumi rikonstruktohej, se do të  kthehej në epiqendrën e një sezoni të tërë të Kategorisë Superiore, arenën e titullit.


Ambicie maksimale, një rivalitet disa vjecar mes dy klubeve, por që kurrë nuk ka kaluar notat e antagonizmit sportiv, e madje duke dhuruar nuanca simpatie me batutat mes dy Presidentëve. Kanë bërë gjithcka për t’i sjellë skuadrat deri këtu, prej disa vitesh, pavarësisht se njëri është mësuar të ngrejë tituj, ndërsa tjetri është maksimalisht i etur për herën e parë, por tanimë ju përket skuadrave të vendosin.


Kukësi është kryesues, titullin mund ta fitojë edhe me një barazim duke fituar më pas me Luftëtarin, por vështirë se do të synojë të luajë për një pikë, kjo edhe për faktin se Skënderbeu është nga ato skuadra që po të vuri para, e ka mundësinë për ta carë cdo lloj gardhi.


Merita të padiskutueshme për një skuadër që ende nuk ka asnjë humbje, të jesh i pamposhtur të vesh edhe një petk psikologjik, te Skënderbeu ndoshta dinë të menaxhojnë më mirë presionin, si një skuadër e mësuar të fitojë, dhe që pas 8 fitoreve rradhazi është e bindur se është në binarët e duhur për të shfaqur forcën e saj deri në fund.


Duel stolash mes Gjokës e Dajës, kur i pari mori drejtimin e Kukësit me një objektiv të vetëm titullin, shumëkush mund të ketë thënë nuk e ka të gjatë, i dyti e nisi te Tirana por rezultoi kura magjike për një Skënderbe lëngues.


Përballen dy sulmet më të mirë të kampionatit, më efikas ai i Kukësit falë Pejiç autor i 26 golave, ka shënuar aq sa Salihi dhe latifi së bashku, por te Skënderbeu mund të mbështeten te më shumë opsione, dhe një lojë më bindëse se ajo e kundërshtarit. Në një ndeshje teke gjithcka mund të ndodhë, i vetmi urim është: të fitojë më i miri.


19 maj 2017 (gazeta-Shqip.com)