Teuta vazhdon serinë e rezultateve pozitive duke e çuar në 6 numrin e ndeshjeve pa humbje. Skuadra e Bledi Shkëmbit ndali në një barazim 1-1 Kukësin e Armando Cungut në sfidën që mbylli javën e 13-të të Kategorisë Superiore.


Një rezultat ky që kënaq Djemtë e Detit, pasi për Kukësin kjo ishte ndeshja e 3-të radhazi në kampionat pa fitore me verilindorët që pozicionohen në vendin e 5-të dhe tashmë janë plot 10 larg nga Partizani kryesues. Teuta nga ana tjetër në 6 ndeshjet e fundit ka regjistruar 4 fitore dy barazime dhe aktualisht ndan vendin e 3-të me Laçin në kuotën e 22 pikëve.


Ishte një sfidë me dy tablo, me Teutën që e nisi më mirë ndeshjen por më pas i lëshoi terren Kukësit. Megjithatë në momentin më të mirë të verilindorëve, Teuta gjeti avantazhin me Sekou Camara në minutën e 30-të, me afrikanin që i shpëtoi mbulimit të Donjet Shkodrës dhe i harruar në mes të zonës mposhti Frashërin. Kukësi reagoi menjëherë por goli i Reginaldos u anullua për një pozicion jashtë lojë shumë të dyshimtë që në pamjet e përsëritura dukej i rregullt.


Në pjesën e dytë verilindorët e rritën ritmin dhe gjetën golin e barazimit me Reginaldon në minutën e 50, me sulmuesin mozambikas që realizoi një gol të bukur me kokë. Kukësi ishte më kërkues edhe në minutat në vazhdim por nuk arriti të mposhte sërish Hidin, i cili bëri një mrekulli të vërtetë ndaj goditjes së Donjet Shkodrës në shtesën e lojës.


Në fund të dyja skuadrat ndanë nga një pikë me Kukësin e Teutën që duhet të kënaqeshin me barazimin.


12 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)