Kukësi po surprizon çdo ditë e më shumë futbollin shqiptar. Pas kalimit të tre tureve në Europë, presidenca dhe i gjithë stafi kuksian kërkon të kalojë edhe “play-off”-in në Ligën e Europës. Për këtë qëllim, janë bërë edhe dy përforcime të tjera cilësore, Sokol Çikalleshi dhe Vilfor Hysa, të dy sulmues. Të dy futbollistët do të federohen për ndeshjen e 22 gushtit në Tiranë kundër Trabzonsporit, ashtu siç janë federuar edhe dy blerjet e para, Dritan Smajli dhe Dany Dragoi.
Seriozitet maksimal, duke punuar çdo ditë, ekipi në stërvitje, ndërsa presidenca dhe drejtori teknik në merkato. Ambicia është maksimale, por edhe drejtori teknik Sulejman Starova ka besim se Kukësi do të bëjë sërish më të mirën.
Edhe futbollistët që kanë firmosur së fundmi janë entuziastë dhe rekordi i fundit i Kukësit në ndeshjet europiane i ka nxitur edhe më shumë për të firmosur me këtë ekip, teksa në sezonin e ri do të kërkojë patjetër të shpallet kampion. (E.Ilnica/balkanweb)