kukesi-15-658x370Kukësi ka ndaluar sot Skënderbeun e vendit të parë duke iu marrë korçarëve një fitore minimale.

Golin e vetëm të takimit e shënoi Ylli Shameti në minutën e 18-të pas një goditje këndi të ekzekutuar nga Mici.

Ky i fundit ka krosuar në zonë dhe topi është goditur me kokë nga Malota, drejt portës së mbrojtur nga Shehi. Portieri i Skënderbeut ka arritur ta ndalë goditjen, por topi ka mbetur në zonë. Ka mjaftuar vetëm një shtyrje e lehtë nga Shameti për ta çuar sferën në rrjetë dhe për të vulosur edhe fatin e takimit. Miqtë pretenduan për një pozicion jashtë lojë të Shametit, por sipas gjyqtarit, goli ishte i vlefshëm.

Pas përballjes së sotme në stadiumin e Kuksit "Zeqir Ymeri", vendasit janë ngjitur në kuotën e 51 pikëve, duke forcuar pozitat në vendin e tretë.

Ndërsa Skënderbeu, edhe pas kësaj humbjeje vijon të mbajë kryesimin, me 66 pikë.

Por, të favorizuar nga kjo ndeshje janë edhe të kuqtë e Partizanit, që ndjekin korçarët. Partizani do të përballet sot me Flamurtarin. Me një fitore të mundshme në Vlorë, Partizani shkon në kuotën e 63 pikëve, vetëm 3 pikë më pak se kryesuesit.