Kukësi dështoi të merrte fitoren e parë në këtë edicion të Superiores përballë Laçit në Elbasan Arena, ku ishte skuadër pritëse. Nënkampionët e Shqipërisë barazuan 1-1, duke shpërdoruar epërsinë e krijuar falë golit të brazilianit Melo në pjesën e parë. Regi Lushkja u ngriu buzëqeshjen në buzë verilindorëve, atëherë kur mendonin se e kishin në kontroll të plotë lojën.


Pa Plakun dhe Rustem Hoxhën, ta larguar zyrtarisht nga Kukësi, trajneri Cungu i besoi nga minuta e parë Ardian Cuculit, një njohjeje të vjetër të Superiores, pasi më parë ka luajtur me Partizanit. Fillimi i takimit ishte shumë më i mirë për Laçin, që pati raste më të pastra shënimi, si ai i minutës së 27-të, kur Hadroj krejt i vetëm në zonë nuk e shënjestroi si duhet portën.


Nëse nuk shënon, do të pësosh. William Cordeiro Melo, kërcen bukur me kokë në minutën e 42-të, duke nxjerrë jashtë loje Selmanin në daljen e tij. 1-0 për Kukësin, që çlirohet nga ngërç psikologjik i minutave të para.


Kukësi e nis pjesën e dytë në kontroll të plotë të lojës dhe në minutën e 52-të Harba, përballë Selmanit, nuk arrin të dyfishojë shifrat.


Laçi u duk i pafuqishëm për të ndryshuar rrjedhën e lojës në minutat e mbetura, duke e rrezikuar shumë pak portën e Malokut, ndërsa Kukësi tentoi me Reginaldon dhe jo vetëm për të marrë një fitore më të thellë. Gjithsesi, atëherë kur nuk pritej harkimi i Sefgjinit u devijua aq sa duhej me kokë nga Lushkja, me topin që përfundoi në rrjetë, duke befasuar mbrojtjen dhe portierin Maloku. 1-1.


E pamundur për Kukësin për të çarë mbrojtjen kurbinase në minutat e mbetura, me me ekipin e Mërgjyshit që merr një pikë me shumë vlerë ndaj një pretendenti për titull.


19 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)