Nga Bashkim SHALA


Kuksianët mposhtin lushnjarët me 2 gola të Malos dhe 1 të Jevdeviçit. Ekipi verior pëson golin e parë në shtëpi nga Canka


Kukësi  Lushnja    3-1


Shënues: Malo 6, 69, Jevdeviç 46 / Canka 60


Kukësi: Koçi, Premçi, Pashaj (M.Kola 75), Renxa, Thana, Rexhepi, Lila, Jevdeviç, Ivanaj, Malo (Halilaj 80), Mziu (E.Kola 88).


Trainer: Sh.Berberi.


Lushnja: Bejte, Mërtiri (Allkanjari 70), Hasalla, E.Sula, Sulo, Topi, Byzhyti, R.Sula (Përzhezha 19), Metushi (Gjyla 18), Canka, Ruço. Trajner: S.Malko.


Gjyqtarë: K.Meta, E.Barushi, D.Agaraj (Tiranë)


Karton i verdhë: Renxa, Pashaj, Lila, Byzhyti, Përzhezha


Karton i kuq: Renxa


Kukësi arrin objektivin, duke zënë vendin e dytë në fazën e parë pas fitores 3-1 me Lushnjën rivale në kryendeshjen e javës së 15-të. Ndërkohë, sulmuesit  Malo i është prishuar magjia, pasi ka shënuar dy herë. Vendasit e kanë gjetur golin që në fillim të ndeshjes, ku sulmuesi Malo, i pambuluar nga mbrojtja lushnjare, ka rrëmbyer një top dhe ka shkuar drejt portës së Bejtes, të cilin e ka mposhtur me një gjuajtje në pozicion të prirët rrafsh me token.


Goli ka çuar peshë rreth 4 mijë tifozë, që kishin ardhur për të ndjekur këtë ndeshje. Vetëm 2 minuta më pas, Malo ka gjuajtur jashtë katërkëndëshit të portës së Bejtes. Pas pësimit të golit skuadra lushjnare ka organizuar disa sulme, por pa e rrezikuar portën e Kukësit. Në minutën e 20-të, njëri prej sulmuesve lushnjarë ka vënë në provë portierin Koçi, i cili ka grushtuar dhe ka larguar rrezikun.


Dy minuta më vonë, përsëri lushnjarët kanë rrezikuar me anë të Ruços, por topi i gjuajtur prej tij ka përfunduar jashtë. Në minutën e 40-të Ruço ka shpërdoruar një top të ardhur në zonë, pas një goditjeje këndi, duke gjuajtur përsëri jashtë portës së Kocit.


Në të 44-ën vendësit rrezikojnë, por Pashaj nuk ka mundur të shtyjë një top për në rrjetë, ka ndërhyrë më pas Malo, por ka grushtuar portieri Bejte. Rastin më të pastër për të dyfishuar rezultatin e ka pasur Malo në fund të pjesës së pare, kur ka shmangur edhe portierin Bejte dhe ka gjuajtur ngjitur me shtyllën pingule me portë të boshatisur.


Pjesa e dytë ka filluar me gol për kuksianët. Sapo topi është shkelmuar nga qendra, vendësit kanë sulmuar në drejtim të portës lushnjare, Mziu ka gjuajtur me kokë dhe topi është grushtuar nga portieri Bejte, por aty është gjendur Jevdeviç, i cili ka gjuajtur në formë parabëe nga 25 metra, duke e dërguar në rrjetë. Vetëm një minutë më pas Malo ka gjuajtur jashtë, pas një manovrimi me top brenda zonës lushnjare.


Një rast të pastër për ta trefishuar rezultatin ka humbur Mziu në të 53-ën. I vetëm me portierin mik, ai nuk ka mundur të shënojë, pasi topi ka përfunduar ngjitur me shtyllën pingule. Në minurtën e 60-të Lushnja ka hapur ndeshjen. Sulmuesi  Canka me zgjuarësi e ka dërguar topin në rrjetë, pas një ndërhyrjeje me kokë brenda zones. Ky është goli i parë që Kukësi pëson në fushën e tij.


Lushnja për pak sa nuk ka barazuar me Ruçon 2 minuta më pas, por topi i gjuajtur prej tij është grushtuar me mjeshtëri nga  Koçi. Kuksianët, të pasigurt për fitoren, nuk i kanë ndalur sulmet dhe në të 69-ën Malo ka trefishuar rezultatin, Ai ka shfrytëzuar me mjaft zgjuarësi një dalje të portierit Bejte dhe në një distancë prej rreth 25 metrash, e ka dërguar topin në rrjetë.


Më pas lushnjarët janë vënë në kërkim të golit, por Përzhezha, Canka dhe Byzhyti nuk kanë mundur ta shkurtojnë distancën e golave falë ndërhyrjeve të sigurta të portierit Koçi.  Kështu, takimi ka përfunduar me fitoren e Kukësit 3-1.


 


Trajnerët


Shahin Berberi, trajner i Kukësit: Nuk e fshehim kënaqësinë e fitores, por kemi një zhgënjim të vogël, pasi pretendomin të ishim ekipi i vetëm pa pësuar gol në fushën tonë. I falënderoj djemtë që luajtën me ritëm gjatë 90 minutave. Ata treguan se kanë grintë dhe dëshirë për fitore për të vijuar drejt objektivit të vetëm që kemi për në superligë.


Saimir Malko, trajner i Lushnjës: E uroj ekipin e Kukësit për këtë tripikësh.