Ashtu siç e pati paralajmëruar trajneri Peter Pacult, sfida me Vallettën nuk rezultoi aspak e lehtë për Kukësin, që nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola, 0-0 në stadiumin Loro Boriçi të Shkodrës.


Verilindorët bënë një pjesë të parë të mirë, ku krijuan disa mundësi shënimi, por nuk arritën të gjejnë rrugën e rrjetës, fillimisht me Musollin që gjuajti jashtë dhe më pas ishte portieri mik, që grushtoi dy krosime të hidhura.


E njëjta tablo ishte edhe në pjesën e dytë, me Kukësin që kërkonte golin e avantazhit, por këtë herë miqtë maltezë kundërsulmuan rrezikshëm në 2-3 raste dhe i shkuan shumë pranë golit, por portieri Frashëri u tregua në lartësinë e detyrës.


Kapiteni Shameti pati një mundësi të artë për të shënuar në minutat shtesë të takimit, por topi i goditur prej tij me kokë, përfundoi jashtë kuadratit të portës së Vallettës, duke bërë që edhe 90-minutëshi i Loro Boriçit të mbyllej në barazim pa gola.


Ky rezultat lë të hapur mundësinë e kualifikimit për të dy skuadrat, ndërsa verdikti se cila skuadër do të vijojë më tej aventurën në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, do të jepet të martën e ardhshme në Maltë, kur do të luhet sfida e kthimit.


Vlen të përmendet se në shkallët e stadiumit Loro Boriçi të qytetit të Shkodrës, atmosfera ishte shumë e vakët, pasi tifozët kuksianë mesa duket kishin preferuar të ndiqnin gjysmëfinalen e Botërorit mes Anglisë dhe Kroacisë, duke braktisur skuadrën e qytetit të tyre.


Formacionet:


Kukësi: Frashëri, Shameti, Zguro (Etemi 58), Qaqi, Rrumbullaku, Musolli, Shkodra (Spehar 80), Çyrbja, Melo, Dzaria, Plaku (Harba 75)


Valletta: Bonelo, Borg, Kamileri, Stantiago, Piciollo, Pena Beltre, Zerafa, Saleh, Muscat, Alba, Fontanela.


11 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)