TIRANE-Kulla e Sahatit të Tiranës po i nënshtrohet një procesi restaurimi të thellë, i cili do të shoqërohet edhe me vendosjen e mekanizmit të orëmatësit dhe fushave të orës, vendosjen e tabelës informuese për monumentin, si edhe vendosjen e pllakës mbishkrimore në ballin e kullës së Sahatit. Ora ekzistuese që është në kullën e Sahatit është prodhim kinez i viteve '70. Gazeta Shqiptare ne faqet e saj te kultures njofton ditën e sotme se restaurimi i kullës së Sahatit do të shoqërohet me restaurimin e godinës së sahatçiut, e cila synohet të trajtohet si një muze i vogël i orëve monumentale në Shqipëri. Në të do të ketë fotografi të sahateve të ndryshme në Shqipëri, sepse sipas Sulejman Dashit, Sahati i Tiranës nuk është i vetmi. Si ai ka shumë të tjerë. Përveç kësaj do të ketë edhe fotografi të ndërtuesve të tyre. Kulla 2 shekullore e Sahatit të Tiranës nuk është restauruar asnjëherë që nga koha që ajo është ndërtuar.
Madje prej shumë vitesh, edhe orët që ndodhen në katër faqet e saj nuk funksionojnë. Llumi që ka mbuluar muret e tregon qartë këtë. Kulla është restauruar në vitin 1981 (së bashku me xhaminë dhe portikun).
Kulla e Sahatit të Tiranës është ndërtuar në vitin 1822. Ka 90 shkallë në formë spiraleje. Është 35 metra e lartë dhe deri në vitin 1970 ka qenë ndërtesa më e lartë e kryeqytetit. Fillimisht kishte një kambanë të sjellë nga Venecia, e cila binte për çdo orë. Kupola e vendosur në majë i jep asaj një arkitekturë të tipit alla San Marko. Në vitin 1928, Bashkia e Tiranës bleu një orë nga Gjermania. Kjo orë u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u zëvendësua në vitin 1946 me orën e sjellë nga kisha e Shkodrës, e cila kishte shifra romake. Ora e sotme është vendosur në vitin 1970. Kulla e Sahatit është e hapur për turistët që prej vitit 1996. Ajo është gjithashtu simbol i emblemës së Bashkisë së Tiranës.
Sulejman Dashi tha për Gazetën se, "në fakt do të rregullohet mekanizmi i orëmatësit dhe fushat e orëve. Ka qenë mungesa e një sahatçiu tek ajo, që i ka lënë akrepat 12:00 gjatë gjithë kohës".
Kulla e sahatit, ndonëse e hapur për vizitorët që në vitin 1996, ku mund të hyhet pa biletë, nuk është shumë e vizitueshme. Më tepër tërheq ata që duan të shohin një pamje tjetër të kryeqytetit që nga maja e saj. Shpresohet qe Kulla te fitojë më shumë emer dhe vizitorë pas restaurimit total të saj.

(d.b/GSH/BalkanWeb)