Rrëshqitësi me sajë, Nodar Kumaritashvili, i cili humbi jetën të premten e kaluar si pasojë e lëndimeve të rënda pas aksidentit në prova në prag të fillimit të Lojërave Olimpike Dimërore, tri ditë më parë i kishte pranuar babait të tij se kishte frikë nga shtegu.



Kumaritashvili në përgatitje për pjesëmarrjen e parë të tij në Lojëra kishte humbur kontrollin e sajës në shpejtësinë prej rreth 140 km/h dhe doli nga shtegu, duke u përplasur në barrierën metalike. Pavarësisht ndihmës së menjëhershme, mjekët nuk arritën të shpëtojnë jetën e 21 vjeçarit.



Ndërsa e përditshmja amerikane The Wall Street Journal ka njoftuar të hënën se Kumaritashvili gjatë një bisede me babanë e tij, David, tri ditë para aksidentit, kishte pranuar se ka frikë nga shtegu.



“Djali im më ka thirrur tri ditë para fillimit të Lojërave dhe ma ka thënë se ka frikë nga shtegu. I kam thënë t’i lëshojë këmbët dhe të ngadalësojë sajën, por jo. Ai më tha se pasi të paraqitet në shteg, do të shkojë deri në fund. Ishte i guximshëm”, tha David.



Nodar Kumaritashvili kishte biseduar me prindërit e tij edhe disa orë para provës së kobshme. Sipas disa njoftimeve, ai i kishte porositur ata se synon t’i “bëjë të ndiheni krenarë”.