Portugalia nuk ka bërë të njëjtin gabim si ndaj Meksikës, ku shpërdoroi dy herë avantazhin, duke mundur me rezultatin e ngushtë 1-0 Rusinë në sfidën e dytë në grup në Kupën e Konfederatave.


Ndeshja fillon me portugezët që kontrollojnë lojën që nga minuta e parë dhe rusët që mbështeten tek mbrojtja solide me formacionin 4-5-1. Por plani i vendasve prishet pas vetëm tetë minutash kur legjenda portugeze Kristiano Ronaldo gjen golin e avantazhit.


Megjithëse vërshëllehej sa herë që kapte topin, një moment ai fshihet pas shpinës së mbrojtësve në të djathtë dhe përfiton nga një kros i bukur në shtyllën e dytë duke zhytur topin në rrjetë ashtu siç di vetëm ai.


Rusët duhet të ndryshonin strategji, por nuk është e lehtë kur ke një kundërshtar që di të luajë mirë topin si Portugalia. Dhe aksionet përpara të vendasve janë pothuajse zero teksa portugezët arrijnë të vijojnë dominimin edhe pas golit.


Ylli i Real Madrid ka një tjetër mundësi për të dyfishuar rezultatin por këtë herë portieri Igor Akinfeev, i cili luan ndeshjen e 100-të me përfaqësuesen ruse, ishte në pozicion dhe shmang golin.


Ritmi bie në pjesën e dytë, teksa Portugalia kërkon të ketë topin në zotërim dhe të shfrytëzojë kundërsulmet e shpejta.


Por rastet janë të pakta dhe loja ka momente që bëhet e mërzitshme. Rusët nuk dalin në lojën e tyre megjithëse në pjesën e dytë ka raste ku mundohen të krijojnë diçka në sulm.


Por miqtë tregohen të kujdesshëm duke ruajtur fitoren dhe duke shkuar në kuotën e 4 pikëve.


21 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)