Në “Selman Stermasi” Tirana, megjithëse arriti të fitojë 4-2 ndaj ekipit të Besës, u eliminua nga ky kompeticion, pas humbjes 2-0 të pësuar në Kavajë dy javë më parë. Për ekipin bardheblu Kupa shihej si aktiviteti që do të shpëtonte sezonin, pas dështimit në kampionat. Por megjithëse i janë afruar shumë kualifikimit, lojtarët e drejtuar nga zv/trajneri Luan Sengla nuk kanë mundur të vazhdojnë më tej.

Për 24-herë kampionët shënoi një dygolësh mesfushori Julian Ahmataj, një gol sulmuesi Sebino Plaku dhe një gol mbrojtësi Andi Lila. Ndërsa për Besën shënuan sulmuesit Daniel Xhafaj dhe Bledar Mancaku.

Ndërkohë, në Peqin, në një terren mjaft të rënduar nga reshjet e shiut, ekipi i Shkumbinit fitoi ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës ndaj Dinamos me rezultatin 2-1. Pas një pjesë të parë pa shumë emocione dhe pa gola, ka qenë bekim Bekim Kuli ai që shënoi për Dinamon 10 minuta pas fillimit të 45-minutëshit të dytë.

Ky gol ka zgjuar skuadrën e Shkumbinit, që duke sfiduar edhe terrenin, përmbysi rezultatin falë dy golave të shënuar nga pika e 11 metërshit nga sulmuesi Bakiu në minutat 66’ e 78’. Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave do të luhet në kryeqytet më 10 mars.

Kupa e Shqipërisë, ndeshjet e sotme:

Tirana 4 – 2 Besa (Ahmataj 46’,69; Plaku 48’; Lila 52’; / Mancaku 74’; Xhafa 80’)
Shkumbini 2 – 1 Dinamo (Bakiu 66’ (p), 78’ (p)/ Kuli 55’)