Kur Kastriot Islami doli te selia e partisë së tij për të dhënë “alarmin” se kishte gjetur kuti ku Partia Socialiste nuk kishte asnjë votë, mund ta shihje se luante një rol si në një shfaqje teatrale ku pak minuta pas hapjes së skenës, hyn dikush me maskë dhe me breshëri plumbash çon zërin dhe thotë: “Që në këtë moment jeni robërit e mi!”, nën shoqërinë e një grupi terroristësh. 


Dhe si spektatorë të drejtpërdrejtë nuk reaguam. 


Thjesht shtuam durimin tonë dhe kujdesin sepse jemi të përgatitur. 


Por kjo nuk na pengon që të flasim për çështjen e ngatërrimit të pushtetit me dhunën dhe terrorizmin nga ana e së majtës. Dhe Kastriot Islami ka qenë pikërisht njeriu që u fut nga dritarja si deputet në zgjedhjet e vitit 2005 kur në të vërtetë nuk fitoi mandatin, por atë ia dhanë për arsye të tjera konjukturale që ai i di. Dhe Islami ishte po ai që bërtiste dhe ulërinte se do të thyente kafkat e demokratëve e plot gjëra të zeza si këto. Dhe tani del e na flet për skenarë manipulimesh me armën ngrehur që na ka ne si objektiv. Dhe ne vazhdojmë të jemi të duruar si ata spektatorët që presin e bluajnë në mendje si të shpëtojnë nga ky makth i paduruar. Dhe kemi Kastriot Islamin që del e harron politikën e merret me luftën e armatosur që ia ka lënë peshqesh Enveri dhe Ramizi. Dhe luftën e ka me votat e shqiptarëve që qartazi i thonë që duhet të dalë në pension tani.


Mirëpo ja që ai ka gjetur disa ekrane që janë bërë zëdhënësja të tij dhe nëpërmjet teknologjisë ai qarkullon mes nesh si fantazmë e harruar sikur të bënte Pazar me ndonjë sekser e të komunikonte duke na pyetur se a do të pranonim ne përdorimin e dhunës me disa kushte. 


Ndërsa ne i përgjigjemi: “Po pranojmë mbrojtjen e ligjshme kundrejt pushtimit tuaj të paligjshëm të politikës”. 


Sepse Kastriot Islami vazhdon të shohë zgjedhësit shqiptarë dhe demokratët si ushtri armike pushtuese, ndërsa mendon se ata që e përbëjnë këtë “ushtri” janë të paditur nuk kanë asnjë ide e kështu me radhë, ndaj edhe duhet të hiqen qafe. Dhe kjo sepse votuesit kanë votuar drejtuesin e tyre tashmë dhe janë kundër dhunës verbale apo psikologjike apo edhe asaj fizike që ka kërcënuar “Kaçi i zi”. Daljet e Kastriotit janë sa skenike aq edhe reale dhe të ngjashme me ato të një shfaqjeje aktorësh. Dhe Kastriot Islami vazhdon të flirtojë me ferrin. 


Ne si spektatorë mendojmë sa të pambrojtur jemi ende kundrejt sjelljeve të këtij njeriu që përpiqet të mbulohet me çarçafin e politikës. Që në duart e tij mban armë elektorale, presione dhe kujtesën e vitit të mbrapshtë 1997. Por Kastriot Islami nuk e ka problemin vetëm tek ndjenja e frikës së humbjes, për të nuk është rreziku kryesor as futja e vetvetes në kurth dhe dëshpërimi. 


E ka problemin se e ka humbur njëherë e mirë shansin që të drejtojë jetët tona me çfarëdolloj mënyre. Kjo e ka zbehur dhe e tremb atë dhe miqtë e tij të Partisë Socialiste. Dhe ndjenja e neverisë që të vjen për këta lloj politikanësh të bën shpesh që të mos diskutosh fare për ta, por duke mos diskutuar, ata mendojnë se kanë fituar terren dhe nuk pushojnë së kafshuari e së marri peng. Dhe ne duhet të pyesim veten se çfarë provokon tek Kastriot Islami sjellje të tilla ndaj votuesve shqiptarë. 


Gjithsesi le të kujtojmë për shokun Islami edhe thënien se “Paqja e popujve mbështetet tek aftësia e tyre të harrojnë”. 


Dhe ne e kemi harruar tashmë atë... 



...