“Autobiografinë” e profesor Sotir Papahristos, gazeta “standard” e boton ekskluzivisht për herë të parë, të plotë dhe që është krejt e panjohur për publikun. Papahristo është njeriu që ka përjetuar kohën dhe botën e tij të brendshme shpirtërore me të gjitha ndjesitë që i ka sjellë jeta - dashurinë për gruan, të cilësuar të rrallë nga vetë ai, dhembshurinë dhe ngazëllimin për fëmijët; përgjegjshmërinë dhe dëshminë e qytetarit për atmosferën e kohës ku jetoi - prej vitit 1882-1968. Duke siguruar të drejtat e trashëguara nga familja e tij, ky botim i panjohur vjen me rastin e përkthimit të veprës monumentale të Tuqididit “Lufta e Peloponezit”, që përkthyesi e kishte lënë amanet në të gjallë që të botohej i plotë, pa censurë - siç iu rekomandua në diktaturë











Sotir Papahristo





(vijon nga numri i djeshëm)





Duke dashur të vihen themelet e një rinie të shëndoshë moralisht dhe fizikisht, botova nga fundi i vitit 1924 librin “Bioskautizmi” që e përshtata pas librit të anglezit Bade Pauell, themeluesit e “Bioskautizmit” (librin e përktheva nga libri “Oi Proskopoi” (Boiskaut). Opinioni publik e priti me shumë dashur këtë botimin tim të parë, shtypi e salutoi me entuziazëm, menjëherë u formua shoqëria në bazë të librit dhe rinia korçare e veshur me petkat e posaçme filloi nga stërvitja dhe ekskursionet...


Libri më vonë u fut edhe në shkollat e Shqipërisë, u shpërnda nëpër ushtri aq sa u desh që të ribotohet 3-4 herë. Si kryeinspektor vazhdova inspektimin e shkollave të qytetit dhe të katundeve rreth Korçës. Më vonë inspektoja edhe shkollat e qendrave të Kolonjës dhe të Leskovikut. Në muajin tetor 1924 ime shoqe, Evdhoksia, me Merin e vogël shkuan në Bukuresht për të parë atje farefisin. Shkuan bashkë me bashko Tashko Ilon, kushëri i parë i saj i cili edhe i mbajti në shtëpinë e tij gjatë gjithë kohës që qëndruan atje në Bukuresht (1 tetor-25 nëntor). Kur u kthyen mbasi atë vit bëri dimër të madh, vajza e vogël mori udhës një të ftohtë të fortë që përfundoi në pneumoni. S’mund të përshkruaj tmerrin dhe dëshpërimin. Bëja si i çmendur. Evdhoksia më trime se unë më jepte kurajo. Ishte fëmija e parë dhe unë isha bërë baba për herë të parë. Sëmundja zgjati mjaft, por në fund lavdi Zotit, vajza u shërua plotësisht.


Periudha VI (1925-1932)


Pa marrë veten nga tronditja shpirtërore që më shkaktoi sëmundja e vajzës, befas një ngjarje e papritur më tronditi më tepër. Nga fundi i dhjetorit të vitit 1924 qeverinë e Fan Nolit e rrëzoi Ahmet Zogu i ndihmuar siç flitet prej Jugosllavisë dhe Greqisë. Së parës, siç thoshin, i kishte premtuar manastirin e Shën Naumit me rrethin e tij, ndërsa Greqisë i kishte dhënë fjalën se shkollave minoritare greke do t’u jepte të drejtën të funksiononin në gjuhën greke.


Menjëherë u formua qeveria nën kryesinë e Koço Kotës (Zogu u proklamua më vonë President). Ministria e Arsimit u suprimua (ishte suprimuar prej qeverisë së Fan Nolit) dhe u bë Drejtor i Përgjithshëm i Arsimit. Kjo komunikonte me Këshillin e Ministrave me anë të Ministrisë së Drejtësisë. Titullar në këtë drejtori ngeli përsëri prof. Mihal Sherko, mirëpo nuk e mbajti për shumë kohë dhe ja si: në Liceun franko-shqiptar grindeshin atëherë profesorët francezë në mes tyre. Ishin formuar dy parti, secila nga këto përpiqej me çdo mënyrë të tërhiqte me vete nxënësit, kështu që disiplina ishte paralizuar krejt. Sherkoja në vend që të mbante paanësi si drejtor i përgjithshëm që ishte, u bashkua me njërën parti dhe kësaj i jepte (me shifra konvencionale) institucione se si të luftonte partinë tjetër. Po një nga këto shkresa me shifra i ra në dorë edhe partisë tjetër dhe një profesor mundi ta deshifronte. Përmbajtja e saj u botua në të atëhershmet e Korçës dhe doli në shesh një seri institucionesh dhe udhëzimesh që i jepte njërës parti për të luftuar partinë tjetër. Skandali arriti në vesh të qeverisë dhe kjo aty për aty vendosi pushimin e M. Sherkos. Kryeministri Koço Kota më rekomandoi mua këtë detyrë. Unë e refuzova menjëherë, pasi s’desha të largohesha nga familja. Po pastaj pasi më siguruan se do të isha për një kohë të shkurtër, gjersa të përpiloheshin ligje, rregullore e tjera, pranova, por me dhimbje të madhe u ndava nga gruaja ime e dashur. Erdha në Tiranë në muajin mars 1925 dhe qëndrova aty gjer në muajin shtator të po atij viti. Fillova nga detyra, por me ç’personel? Tërë nëpunësit e vjetër i kishin pushuar dhe zëvendësuar me të rinj që s’merrnin vesh fare nga arsimi. U brengosa fort, u shtrëngova të bëja vetë detyrat e sekretarëve dhe të shefave. S’qe mjaft kjo. Brengat m’i shtonte edhe sjellja e Pogës, ministrit të Drejtësisë i cili më sillte shumë pengesa në kryerjen e detyrës. Çdo propozim që i bëja për t’ia paraqitur Këshillit të Ministrave ai e refuzonte. Atëherë iu drejtova Koço Kotës dhe i thashë se në këto kushte unë s’mund të punoj më, bile kërkova të më hiqnin nga Drejtoria e Përgjithshme dhe të më dërgonin në Korçë me detyrën e mëparshme. Të nesërmen Kota më thirri dhe më tha se pas një bisede që pati me Presidentin A. Zogu, u vendos që drejtori i përgjithshëm të lihet i lirë në veprimet e tij dhe të jetë i pavarur nga ministri i Drejtësisë, me të vërtetë pas ca ditësh më erdhi shkresa nga zyra e Presidentit e cila përveç që më la të lirë në veprime, por edhe më urdhëronte t’ia komunikoja ministrit të Drejtësisë përmbajtjen e shpresës në fjalë. Natyrisht Poga u zemërua, por nuk e shfaqi sheshit zemërimin. Kështu unë mbeta i lirë dhe fillova nga veprimtaria. Thirra një komision nga arsimtarët më të mirë: A. Xhuvanin, M. Ivanën, Nd. Palucën, dhe L. Naçin (këtë të fundit ndonëse jo për arsimtar e mora për mëshirë). Me anë të këtij komisioni që punoi gati për tre muaj, përpilova ligje, rregullore, programe të tjera dhe i vura baza arsimit. Përveç këtyre përpilova edhe një rregullore të veçantë për Liceun e Korçës sipas rregullores së shkollës së Stambollit “Gallata Seraj”. Në bazë të kësaj rregulloreje krijoheshin dy drejtori: drejtoria administrative që merrej me administratën dhe disiplinën e shkollës dhe drejtoria teknike që merrej me zaptimin e programës e kontrollimin e personelit arsimor. Drejtor administrativ do të ishte shqiptar, ndërsa teknik një nga profesorët francezë.


Erdhi muaji shtator, bëmë edhe listat e personelit mësimor për tërë shkollat e mesme dhe fillore të Shqipërisë. Me të mbaruar edhe këtë vendosa të jap dorëheqjen dhe të kthehem në Korçë. Arsyet ishin këto: vuaja shumë larg familjes, s’rroja dot pa patur pranë familjen, gruan time të adhuruar dhe Merin e vogël. Që ta sillja në Tiranë ishte e pamundur, se s’kishte banesa të sakta (gruaja më këshillonte të qëndroja); letra një pas një (tri në javë, se aq herë udhëtonte aeroplani) dërgoja dhe merrja. Për fat, humbën këto letra se ishin pasqyrë e vërtetë e pasqyrimit reciprok. Arsyeja tjetër ishte kjo: herë pas herë kërkonte Ministria e Brendshme të transferoja dhe të pushoja arsimtar “për arsye administrative” kërkonin deputete bursa për miqtë e tyre, pa paraqitur dokumente relativ, më detyronin më në fund të veproja kundër ndërgjegjes sime. Iu drejtova Kotës (se ky ishte shkaktar) dhe iu luta të ndërhynte pranë Presidentit që të largohesha nga Tirana dhe të transferohesha në Korçë ose si drejtor administrativ pranë Liceut ose inspektor pranë arsimit. Gjeta kundërshtime edhe nga Presidenti, edhe nga Këshilli i Ministrave.


Më kishte dalë fama se isha punëtor me ndërgjegje se organizova arsimin etj. Më çmonin dhe s’deshën të largohesha. Por mbasi ngula këmbë dhe deklarova se do të jepja dorëheqjen, më lejuan dhe më emëruan drejtor administrativ në Lice. U ktheva në Korçë mbasi qëndrova në Tiranë 6 muaj e ca. S’mund të tregoj gëzimin që ndjeva kur u përqafova me njerëzit e mi të dashur, me Miterën plakë, me gruan e adhuruar dhe me Merin e vogël. Kur arritëm në shtëpi (kishin dalë për të më pritur gjerë në katundin Dishnicë) në këndin e dhomës kërcente Meri dhe dridhej nga gëzimi i madh. I kujtoj këto çaste me mallëngjim. I krahasoj me çastet e tanishme, çaste plot hidhërim dhe nuk i mbaj dot lotët...