Më kujtohet që rrugëve të Tiranës ndodhte të shikoje një vajzë të bukur, shumë të bukur, që talenti e bënte të shkëlqente megjithë modestinë e saj e që të mbushte me emocion në rolin e Luiza Milerit. Më kujtohet Yllka Mujo si dhe ajo ndrojtje e kënaqësi kur e takova për herë të parë. Shkrimtari Ylli Demneri shkruan kështu bri fotos ku aktorja Yllka Mujo shfaqet e qeshur në portretin ku bien në sy dy bishtaleca që ia shtojnë hijeshinë. Vetëm pak ditë më parë aktorja festoi ditëlindjen e 65-së. Ajo është një nga ikonat e kinematografisë e teatrit shqiptar.


Në teatër ka interpretuar në dhjetëra shfaqje, midis të cilave te Orët e Kremlinit e Pogodin, Luiza Miler e Shilerit, Përmbytja e Madhe e K. Jakovës, Vizita e Inspektorit e Pristlit, Nata e dymbëdhjetë dhe Zbutja e kryeneçes e Shekspirit, Natë me hënë e Kadaresë, Këngëtarja tullace e Ioneskos, Zonjusha Zhuli e Stinbergut, Kujdes! Kafshon e A. Gernit.


Ka interpretuar në filmat I teti në Bronx, Malet me blerim mbuluar, Zonja nga qyteti, Kur hidheshin themelet, Taulanti kërkon një motër etj. Është aktore me kërkesa, me plastikë të zhdërvjelltë, energjike, shpërthyese; dallon për trajtimin e mençur dhe të kulturuar të roleve, duke rikuptimësuar në kohë idetë dhe gjendjet e tyre emocionale. Yllka Mujo kalon lehtësisht sa nga drama në komedi, sa nga personazhet me mbartje psikologjike e përjetime të brendshme, tek personazhet komike, deri paroditë dhe groteskë. Më 1995 fitoi çmimin Aleksandër Moisiu si aktorja më e mirë e Festivalit Kombëtar të Teatrove për rolin e Julias në dramën Fernando Krafti më ka shkruar këtë letër të Dorstit. Mban titullin Artiste e merituar.


 


17 tetor 2018 (gazeta-hqip.com)