Nga Mero Baze


 


Pamjet e reja të dhunimit të një demokrati në Kavajë, që kanë dalë sot, i cili u masakrua se kundërshtoi Lulzim Bashën gjatë një takimi me banorët e qytetit, nuk janë të rënda vetëm si pamje të dhunshme, por si ilustrim i frustrimit dhe pasigurisë që ka kryetari i opozitës dhe që ai injekton tek mbështetësit e tij, që shpërthejnë në dhunë. Një lider i pasigurtë, që tenton të mbijetojë me maskën e buzëqeshjes, dhe që i pari që i del para e hedh në turmën e qenve që e masakrojnë, duket se është një lider i pasigurtë, që e kanë lëshuar nervat dhe që nuk di çfarë të bëjë me veten e tij. Masakrimi i një qytetari të njohur në Kavajë, nga ata që janë dekoruar si për qëndresën e vitit 1990, kur Lulzimi ishte kamarier i Sigurimit të Shtetit në Rinas, atje ku nuk futeshe dot po të mos ishe i besuari i nomeklaturës, është vizatimi më i mirë i aftësisë që ka ky njeri për dialog me kritikët e tij.


Përballë tij është Edi Rama, një lider nga më kontraversët në komunikimin me publikun, shpesh  herë arrogant në fjalë, përçmues dhe i ashpër në batuta, shpesh herë i tërhequr e tolerant, por kurrë i dhunshëm fizikisht.


Ka disa kohë që ai komunikon direkt me kundërshtarët e tij në rrjetet sociale, të cilët jo rrallë e fyejnë me fjalor vulgar, dhe përgjigjet e tij nuk lënë gjë mangut me batuta.


Por ajo që bën përshtypje është se ka disa ditë që Edi Ramën po e tallin kundërshtarët, pasi një zonje të zemëruar, që djali i saj nuk gjen dot punë dhe pse ka aplikuar në kompani private, ai i ka dhënë publikisht email-in e tij privat, që djali i saj ti shkruante aty. Për këtë po e masakrojnë, duke e quajtur komunikimin e tij të padenjë për një Kryeministër.


Realisht është tepri të merresh me hallin personal të një qytetari, qoftë ky dhe i pafat për të gjetur një vend pune, por duhet të biem dakord se është njerëzore. Ti shkruash Edit si Kryeministër se djali nuk po gjen dot punë dhe ai të të japë email-in privat, nuk është fort e denjë për një Kryeministër, por është e denjë për një qytetar. Por të kritikosh si qytetar në rrugë një kandidat për Kryeministër dhe ai të të lëshojë përsipër hienat e tij të të gjakosin, kjo është më shumë se burracakëri.


Lulzim Basha vuan nga kompleksi i të fortit, pasi mendon se vetëm kjo gjë i mungon për tu bërë Kryeministër. Dhe pikërisht ata që i lëshoi në shpinë atij demokratit nga Kavaja, janë ata që kanë nga pesë vrasje në shtëpi dhe janë të lirë nga gjykatat tona. Kjo tregon se ajo që Basha tenton tua faturojë kundërshtarëve, është në fakt ëndrra e tij dhe kompleksi i tij i inferioritetit. Ai është lëshuar në çdo qytet të Shqipërisë të mbledhë llumin rreth vetes dhe të bëjë si i fortë, me shpresë se kështu do tia dalë. Një njeri i pavendosur në atë që bën, i paqartë për sfidën që ka, i pafuqishëm për të bërë detyrën që i takon si lider opozite dhe mbi të gjitha, i paparashikueshëm se si mund të reagojë në një situatë kritike për të, ai është sot shembulli i gjithë pikëpyetjeve dhe jo i zgjidhjeve që duhet të japë një kandidat për Kryeministër.


Nëse krahasojmë dy raste, kur një qytetar shqiptar, i del para Lulzim Bashës dhe i thotë e ke gabim këtë që thua dhe një qytetar tjetër që i shkruan Ramës O gomar dhe shikon reagimet e të dy liderëve, e shikon se kemi të bëjmë me një njeri që e kontrollon veten dhe e di kë ka përpara dhe një skuth të pafytyrë, që nuk guxon as ti përgjigjet, por i lëshon banditët në shpinë qytetarit.


Është ky njeri që nuk ka ditur të bëjë kurrë detyrën e vet.


Është ky njeri që më 21 Janar, nuk dinte me kë të ishte, me Kryeministrin që urdhëronte vrasjet, apo me protestuesit që vriteshin, me Presidentin që rrinte në zyrë dhe nuk përzihej, apo me shefin e tij që e quante “horr bulevardi”, me Kryeprokuroren që bënte detyrën, apo me shefin e tij që e quante “lavire” dhe në fund, duke qenë i pasigurtë për detyrën që kishte, i hapi rrugë krimit dhe mbulimit të tij, duke hyrë në histori si një ministër vrasës.


Është po kjo fytyrë që sot buzëqesh në ekran dhe skërmit dhëmbët në trotuare kur takon kundërshtarë duke i masakruar ata.


Ti flasësh Lulzimit sot është një rrisk për tu përleshur me banditët e tij, ndërsa ti shkruash Edi Ramës është kthyer në një gallatë. Mund ti thuash dhe gomar” dhe shalgjatë dhe ti kërkosh punë, dhe gjithnjë e ke një përgjigje, ose me gallatë, ose me batuta të hidhura, ose me njerzillëk, edhe pse nuk është formale për një protokoll Kryeministri. Është një diferencë që buron nga siguria.