Entela BinjakuEntela BINJAKU


Në 14 shkurt në Sheshin Viktoria në Bukuresht qytetarët rumunë dolën për herë të 15-të para ndërtesës së Qeverisë  duke i  kërkuar dorëheqjen.  Me sloganin Nuk ikim, rezistojmë! ata protestonin në temperaturat nën zero gradë,  duke u mbledhur në shesh rreth orës 22 për të qëndruar aty deri në orën 1 pas mesnate.


Qytetarët jo vetëm në Bukuresht, por edhe në qytete të tjera të vendit si dhe në shumë prej shteteve ku kanë emigruar morën vëmendjen  e opinionit ndërkombëtar me protestat e tyre.


Duke u lidhur nëpërmjet medias sociale ata i dhanë pamje dhe zë revoltës së përbashkët kundër një vendimi të marrë nga  klasa e sapozgjedhur qeverisëse, e cila sipas tyre kishte vepruar në mungesë të transparencës dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve. Shumica e protestuesve,  të rinj të lindur pas vitit 89 dolën kundër Urdhëresës së urgjencës 13/2017 dhe kundër një klase drejtuese politikanësh që sipas tyre po kriminalizonin me ligj politikën.


Në shesh dolën qytetarë  të të gjitha grupmoshave, pa dallim gjinie, origjine, statusi social e ekonomik, prindër sëbashku me fëmijë, që  kundërshtonin dekretin në të cilin parashikohej që zyrtarët publikë rumunë nuk do të penalizoheshin   në rast të përfitimit të një  shume  deri në 45 mijë dollarë;  sipas saj çdokush mund të aplikonte për funksione zyrtare edhe nëse kishte një dënim deri në 5 vjet. Në perceptimin e qytetarëve politikanët përveçse që vjedhin duan të shpëtojnë pa u dënuar.


Urdhëresa e urgjencës  13/2017 krijoi këtë reagim tek  qytetarët  për shkak të arrogancës me të cilën u ndërmor, mungesës së transparencës dhe komunikimit me publikun. Kur të rinjtë, të cilët ishin shumicë, kuptuan dobishmërinë e  njëanshme,  kur ju bë e qartë se vendimi ishte kundër interesave të shoqërisë, kur nëpërmjet saj synohej ti merrej fryma antikorrupsionit, ata dolën në shesh duke arritur deri në 100 mijë njerëz.


Në ditën e 7-të të protestave ministri i drejtësisë shpalli anullimin e saj,  por protestuesit vazhduan të dilnin në rrugë e sheshe duke kërkuar rrëzimin e qeverisë  së  votëbesuar nga presidenti në dhjetor të vitit 2016. Te nesërmen e anullimit Presidenti rumun Johaniss në fjalën e tij në parlament u shpreh se:  Tërheqja nga urdhëresa  dhe dorëheqja e mundimtë e një ministri është pak për zgjidhjen e krizës ne të cilën gjendemi… Rumania ka nevojë për një qeveri të fortë dhe jo një qeveri që ndjek rregullat e partisë. Bëhuni të ligjshëm për Rumaninë, bëni ligje të mira për Rumaninë, dhe jo për një grup politikanësh me probleme. Atë që premtuat, bëjeni! Duhet të zgjedhim nëse duam të jemi një komb i fortë, i begatë me një shtet me drejtësi të pavarur, apo duam të jemi një komb i dobët,  i përçmuar, që vendos çdo gjë në lojë për të shpëtuar disa që gjenden në situata të vështira.


Historia e një të kaluare nën  regjim komunist dhe aspirata e për integrim në BE janë dy të përbashkëtat e mëdha mes shoqërive tona, gjë e cila nxit vëmendjen dhe reflektimin mbi protestat e rumunëve.  Pyetjet  kryesore që  lindën këtej nga ne ishin: Si arritën të organizoheshin aq masivisht në sheshe e rrugë të nxitur vetëm nga vokacioni qytetar? Si mundën ishin kaq të papërçarë në rezistencën e tyre gati 20-ditore? Çfarë fuqie paska media sociale që nxori në shesh me  qindra mijra qytetarë  pavarësisht moshës, origjinës, statusit e gjinisë? Afërmend që për secilën nga këto pyetje lindtte edhe kundërpyetja: po ne?


Ndërkohë që në 2017 jemi ende në pritje të celjes së negociatave me BE-në, Rumania është pjesë e bashkësisë evropiane që në 1 janarin e vitit  2007.  Pas  10 vjetësh  që shtetasit rumunë jetojnë nën qiellin e BE-së, duke rritur qarkullimin e njerëzve, mallrave dhe të ideve, ata po krijojnë një kulturë të re të të protestuarit, që refuzon padrejtesinë, arrogancën dhe indiferencën e politikës, e cila nuk është se ka munguar deri në këto çaste që flasim. Kjo kulturë që sapo ka nisur, e ndihmuar nga teknologjia e informacionit, nga risitë në format e komunikimit, bashkuar me dëshirën  për të rijetuar revolucionin e 89 shërbyen si nga shtysat e kësaj proteste që në themel të saj ka angazhimin qytetar.


Ndërkohë që  tek ne ka zënë  vend togfjalëshi kultura e pandëshkueshmërisë rumunët i kanë dhënë partnerëve ndërkombëtarë fakte të vullnetit të tyre në luftën kundër korrupsionit. Në tri vitet e fundit  Agjencia e  Antikorrupsionit ka arrestuar 1250 zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm mes të cilëve: 1 kryeministër, 5 ministra, 16 deputetë, 97 kryetarë bashkish dhe nënkryetarë, 32 drejtorë drejtorish dhe 497 njerëz me pozita drejtuese në institucionet publike. Nga këta  93% janë dënuar duke treguar edhe efiçiencën e organit të akuzës dhe të shtetit të së drejtës ku para ligjit janë të gjithë të barabartë.


Ndërsa tek ne ka një ekzaltim për 3 pikët e ngjitura në Indeksin e Korrupsionit në 5 vitet  e  fundit, Cornelia Abel, koordinatorja e Transparency International për Europën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor, do të shprehej se Shqipëria ka një ndër nivelet më të larta të korrupsionit të perceptuar në të gjithë rajonin. Shqiptarët janë të zhgënjyer nga sistemi politik dhe janë të lodhur teksa shohin të korruptuarit që përdorin paratë dhe influencën  për ti shpëtuar ndëshkimit.


Protestat e këtyre ditëve treguan një diasporë rumune aktive, që është e lidhur ngushtë me zhvillimet në vendin e origjinës. Ndërsa ne themi se ende nuk dimë sa shqiptarë kemi në vendet ku kanë emigruar, institutet e statistikave në Itali flasin për 1.150.000 qytetarë rumunë,  800.000 në Spanjë etj., qytetarë të numëruar dhe me të drejte vote.


Rumunët  votojnë edhe nga Siatëlli e Portlandi, nga Belgjika e Austria etj., për politikën dh në vendin e origjinës, ndërsa tek ne edhe pse pas 27 vitesh  ka emigruar më shumë se 38% përqind e popullsisë dhe ende emigrojnë, nuk ka ende asnjë votë për vendin amë. Ndërsa lidhja e diasporës me zhvillimet në Shqipëri është  ende në embrion, diaspora rumune, ndoshta po aq e re sa jona,  përmes votimit është mjaft përcaktuese në zhvillimet e demokracisë rumune.


Shoqëria civile rumune është aktive dhe e organizuar gjë e cila u duk edhe në këto ditë protestash, ndërkohë që tek ne besimi tek shoqëria civile është i dobët, mosbesimi se ajo përdoret politikisht është i lartë. Shpërdorimi që shpesh aktorë të saj i kanë bërë ideve, parave  dhe kohës, ka lëkundur besimin se kjo shoqëri përfaqëson aktivizmin qytetar shqiptar.


Media e parë dhe ajo sociale rumune  gjatë protestave i dha opinionit informim dhe ndërgjegjësim, analiza dhe qëndrime mbi zhvillimet e kësaj  shoqërie  që kishte tejkaluar dukshëm veten,  duke u krahasuar me protestat simbol  që i dhanë  fund regjimit komunist. Ndërsa tek ne edhe pse qytetarët informohen 42% më shumë nga mediat sociale sërish kanë televizorin mediumin e parë, medium tek u cili kanë një besim në rënie!


Ndërsa rumunët  ishte vokacioni i ringjallur  civil që i nxori në shesh, tek ne sheshet i mbush thirrja  politike.  Zëri i brendshëm i qytetarit shqiptar të shqetësuar për zhvillimet në jetën e tij dhe të vendit,  është mpakur që në gjenezë nga shtypja e dhunshme që i ka bërë mjedisi. Ai zë i ngjan  binjakut në embrion që ka pushuar së zhvilluari dhe i ka dhënë jetë të ngjashmit të tij i rritur nga prindër të shtypur nga një regjim ndrydhës, në një kontekst që manipulohet dhe përdoret nga zhurma politike.


Sot jemi në 19  shkurt dhe në sheshin Viktoria qytetarët rumunë dolën dhe protestuansërish!