• Skënder Minxhozi

Kryeministri doli në BBC. Në Hard Talk, në shoun politik më të vështirë, siç e thotë vetë emri, të këtij televizioni të madh e prestigjioz. Një akt i guximshëm, për një njeri me eksperiencën e nevojshme për të kuptuar riskun e daljes në një emision të bazuar mbi kriticizmin dhe jo mbi lavdërimin apo marrjen me të mirë. Në terma shqiptarë, mbi Gërdecin dhe jo mbi hyrjen në NATO. Rezultati duket se doli ashtu siç pritej Aty ku një javë më parë ishte kryqëzuar Gordon Braun, Kryeministri i Britanisë, Sali Berisha, nuk mund të dilte më mirë.
Gjithsesi, kryeministrit i mbetet kënaqësia e daljes në një ekran prestigjioz, megjithëse deklaroi se, “nuk punon për historinë”. Po ne çfarë na mbetet?!
Kur shohim kryeministrin që thotë se nuk dinte gjë për Gërdecin, s’mund të mos na vijë pak turp. I njëjti turp, si ditën kur përfunduam në faqen e parë të “Nju Jork Tajms”-it. I njëjti turp si atëherë, kur ai e quajti letër higjienike gazetën në fjalë. Kur shohim kryeministrin në BBC të flasë për luftën kundër korrupsionit, na vjen në mend ai çmimi grotesk për ushqimin që na dhanë në Meksikë andej nga fundi i viteve ’90, kur dyqanet e Shqipërisë funksiononin vetëm me sistem tollonash. Por na vjen në mend gjithashtu sesa shpejt mund të bjerret dhe çngjyroset një projekt politik që premtoi çudira vetëm tre vjet më parë.
Kur shohim kryeministrin tek BBC, s’mund të mos konstatojmë se atij po i shterren argumentet, se është një njeri në vështirësi dhe në “zbaticë” të plotë përballë opinionit të tij publik e ndërkombëtarëve. Kur shohim kryeministrin në vështirësi në vitrinën e BBC, kur i përmendin “Transparency International” dhe sondazhin e saj për korrupsionin, kuptojmë se ndoshta është koha që vetë kryeministri të bëjë një lëvizje, të japë një mesazh, të lëshojë një sinjal se “enough is enough”, siç e do gjuha e Hard Talk.
Kur e shohim kryeministrin kaq larg podiumit të Kuvendit, ku ai ndjehet i gjithëpushtetshëm, ku jep përgjigje, shan, shfryn, gjuan dhe sulmon majtas-djathtas, bëjmë edhe ne një llogari të vogël me mend, për firot e një politikani dhe të një imazhi kombëtar, kur del nga formati dhe kufijtë e vetë kombit.
Kur e shohim kryeministrin në një pozicion kaq mbrojtës, përballë një gazetareje që nuk e di ku bie Gërdeci, Dushku apo fajdet, kuptojmë se ai është vërtet një i mbijetuar. Pikërisht ashtu siç e quajti drejtuesja e Hard Talk, kur i kujtoi se ai vazhdon të jetë thuajse unikal në llojin e tij prej ish-komunisti antikomunist (mjeku i diktatorit Hoxha, sipas gazetares), në Ballkan dhe Evropë.
Kur shohim kryeministrin të premtojë zgjedhje të lira në poltronin (jo)komod të Hard Talk, nuk mund të na shkojë mendja tek premtimet që ai bëri tre vjet të shkuara, kur hipte në qeveri, për t’u marrë më së pari pikërisht me zgjedhjet. E sot, kur kryeministri del në median, ku dikur Çurçilli e De Goli thoshin të vërteta të mëdha në një kohë të keqe, - kur Berisha del pra në BBC, për të premtuar të njëjtën gjë si më 2005, ndjehemi keq dhe të poshtëruar. Si për pyetjen e gazetares, ashtu edhe për përgjigjen e të intervistuarit.
Në Hard Talk kishte vajtur, do thotë dikush, pikërisht aty ku çdo javë masakrojnë nga një kryeministër apo president. E drejtë, por ama ky “masakrimi” ynë ka tjetër përmasë, një tjetër axhendë, e mbi të gjitha, një tjetër protagonist.
Kur e shohim në Londër kryeministrin të kapet fort pas gjysmë të vërtetave, çerek sukseseve dhe një të treta premtimeve të pambajtura, kujtojmë sesa e çuditshme është vetë jeta. Atëherë na vjen ndërmend një koment, po i BBC, i vitit 1998, i cili duke përshkruar liderin e atëhershëm të opozitës, shprehet se “Berisha të jep përshtypjen e një njeriu që e di sesi rrotullohet rrota e politikës”. A mendojnë më kështu në BBC, pas intervistës së fundit në Hard Talk?!