Kur ra komunizmi në ato vite të varfra të ‘90-ës, të gjithë menduan se pasiguria social-ekonomike do të zhdukej me instalimin e rendit të ri politik. Por shpresat e asokohe u verifikuan të pasakta, kur sot, pas gati 20 vjetësh, ne ende vazhdojmë të jemi në tranzicion!



Ata që jetojnë çdo ditë pasigurinë e jetës tashmë janë qindra mijëra: njerëz të papunë, punëtorë me - apo pa kontratë, të keqpaguar, deri edhe të shfrytëzuar, punëtorë sezonalë, njerëz që e mbajnë frymën me asistencë sociale, mijëra të tjerë të pastrehë etj., etj. Që prej rënies së sistemit komunist flitej, shkruhej e analizohej zgjidhja, sigurisht graduale, e punësimit të njerëzve, gjë që do të mund të çonte në zbutjen e pasigurisë social-ekonomike të shtresave që jetojnë nën minimumin jetik të shoqërisë. Sigurisht, të varfër ka pasur gjithmonë, por shpresohej se numri i tyre do të mund të vinte duke u ulur me rritjen ekonomike të vendit. Mirëpo realiteti flet ndryshe: nuk është ecur në rrugën e planeve të miratuara e se, në këtë mënyrë, shpresa e njerëzve për një punë që do t‘u garantonte jetën ka mbetur thjesht një ëndërr.



Pasiguria sociale në kapërcyell të ndryshimit rrënjësor politiko - ekonomik të vitit 1990 prekte thuajse gjithë shoqërinë shqiptare. Kuptohet, vinim nga një periudhë e gjatë izolimi ekonomik. Sistemi i ri pluralist, që i hapi rrugë ekonomisë së tregut, krijoi mundësi të reja për zhvillimin ekonomik. Në këto rrethana, njerëzit u mbushën me shumë shpresë. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se masat e para, por më shumë propaganda për to, i bënë njerëzit të forcojnë durimin për të pritur ditë më të mira.



Ndërkohë që ishte deklaruar se tërë shqiptarët u vunë në start, në mënyrë të pashpjegueshme, por ja që kështu ndodhi, kjo shoqëri u polarizua në ekstrem. Sot mund të themi se ky polarizim ka prirje të theksohet edhe më tej, domethënë, të pasurit të bëhen edhe më të pasur, ndërsa të varfrit të bëhen edhe më të varfër! Në Shqipëri më shumë se një e treta e popullit jeton me vetëm dy dollarë në ditë! Pra, po ngjet e kundërta e asaj për të cilën pretendohet se punohet! Dhe ndodh kështu në një kohë, kur zgjidhja e problemit të varfërisë duhej të ishte përparësi e të gjitha përparësive, e orientuar dhe e kontrolluar me logjikë të shëndoshë ekonomike nga shteti. Mirëpo kësaj çështjeje, mjerisht, nuk i është dhënë rëndësia e duhur, duke lënë të kuptohet, se ajo që do të mund t‘i japë zgjidhje këtij problemi do të jetë vetëm fenomeni-plagë: emigracioni.



Përballë një lloj indiferentizmi të shtetit ndaj problemeve social-ekonomike, qytetari shqiptar braktis vendin për t‘i kontribuar ekonomisë së një shteti tjetër (!), ndërkohë që shteti ynë, shkaktari e dëshmitari i këtij dështimi, hesht përballë kësaj plage shoqërore, tashmë të majisur keq. E jo vetëm hesht, por në heshtje gëzohet! Të krijohet mendimi, se ai tek emigracioni shikon "të mirën" e tij, sepse i gëzohet përqindjes së "ulët" të papunësisë në vend! Kur e pyetën në një rast Kryeministrin tonë për shifrat e papunësisë në vend, ai nuk shqiptoi ndonjë shifër konkrete, pasi një të tillë ai asnjëherë nuk e ka bërë publike. Pra, nuk ka transparencë në këtë drejtim. Është kështu jo ngaqë mungojnë strukturat e duhura për ta evidentuar atë, por ngaqë këto struktura, të gjendura nën presion politik, e mbajnë me dashje atë shifër në terr informativ. (Bëhet fjalë për një papunësi që shkon në rreth 40 për qind të popullit, përfshirë këtu edhe një kontingjent jo i vogël njerëzish i paregjistruar në Zyrat e Punësimit. Mendo për një çast, pastaj, se ç‘mund të ndodhte po të ktheheshin ata qindra mijëra emigrantë që banojnë e punojnë në Greqi, Itali, Gjermani, Angli... Në vend që politika të përballet me problemin real të papunësisë, të varfërisë e të pasigurisë së jetës, politika trumbeton "fitoret", duke ruajtur status quo në vend. Bëhet fjalë si për një të sëmurë, të cilin, në vend që ta kurosh, mundohesh ta mbash nën jorgan, duke e lënë kështu në fatin e tij!



Pasiguria ekonomike sot godet jo vetëm shtresat më të pafavorizuara, por edhe ato të mesme të popullsisë. Edhe një kuadër, nëse humbet vendin e punës, do ta ketë tepër të vështirë ta rigjejë statusin e tij social. Në një shtet ku pretendohet të ndërtohet një e ardhme e sigurt për qytetarët e vet, nuk mund të vazhdohet me "do ta shtyjmë edhe sot", apo me "do të bëjmë si do të bëjmë", por nevojiten të ndërtohen programe afatgjata, që projektojnë perspektiva zhvillimi ekonomik dhe, kësisoj, ngjallin edhe besim.



Pa dashur të bëhemi nihilistë, te ne qytetari i thjeshtë nuk ka besim te shteti, te strukturat dhe njerëzit që punojnë në to. Pikërisht ky besim duhet fituar. Por që të fillosh të besosh, kërkohet të shikosh se problemet nisin e marrin zgjidhje nga shteti. Sepse edhe të shpresosh, nuk mjafton. Dhënia e asistencës dikujt në nevojë nuk është zgjidhje. Zgjidhja fillon e vazhdon vetëm me sigurimin e një vendi pune. Rrugëve të Shqipërisë shikojmë me qindra fëmijë që kanë braktisur shkollën, të cilët enden rrugëve për të siguruar diçka në ndihmë të familjes! Këta janë viktima direkte të pamundësisë së prindërve të tyre për të pasur një vend pune. Në vend që të jenë mbi libra, këta fëmijë përballen me jetën e vështirë të rrugës apo të natës. Dhe përse të mos mendojmë, se pikërisht ky kontingjent të vegjlish bëhet viktimë e rrjeteve kriminale. Shkurt, pasiguria sociale kthehet në makth familjar, në ankth bashkëshortor, në shqetësim publik për mbarë shoqërinë. Papunësia pjell natyrshëm një shkatërrim shoqëror. A s‘e shikojmë? Mjaft prej atyre hajdutëve, që venë kokën në rrezik teksa u sulen deri edhe bankave, janë pjellë edhe e atij terreni të krijuar për shkak të paaftësisë së shtetit për t‘i punësuar gjetiu.



Degradimi i jetës prek si atë që fle rrugëve dhe që rron nga mbeturinat e gjetura në plehrat e kazanëve, ashtu edhe atë që prodhon në bujqësi e që nuk arrin ta shesë produktin. Degradimi i jetës prek si nëpunësin civil që i komunikojnë pushimin nga puna pa asnjë arsye, ashtu edhe një nënë të divorcuar që mezi mbyll muajin. Ky degradim prek si studentin apo studenten që sforcohet punëve të vështira për të garantuar mbijetesën biologjike aty ku studion, ashtu edhe një punëtor sezonal që kalon nga një punë në tjetrën, duke pranuar çdo lloj kushti për të punuar pa kontratë. Me fjalë të tjera, zhvillimi ynë ekonomik, në vend që të bëhej burim sigurie, krijon premisë për pasiguri. Janë të paktë ata që sot në Shqipëri ndihen vërtet të sigurt. Edhe ata që punojnë me kontratë dhe që u paguhen Sigurimet Shoqërore, jetojnë nën shantazhin e shefave dhe me frikën e përhershme, se mos të nesërmen do të gjenden të papunë. Dhe ky është një realitet i dhimbshëm. A nuk ngjet kështu menjëherë mbas zgjedhjeve, kur ndryshojnë partitë në pushtet?! E gjitha kjo të kujton rastin e punëtorëve europianë në shekullin XIX, periudhë kur poperizimi i kësaj shtrese mbillte mizerje dhe krim.



Nëse papunësinë e tejskajshme do ta vlerësonim si një dukuri të viteve të para të jetës pluraliste në Shqipëri, kjo do të ishte gjysma e së keqes. Por të diskutosh sot për të, do të thotë të vesh gishtin te shkaktari. Dhe shkaktari nuk mund të jetë tjetër, veç shtetit. Është e pafalshme që sot të ketë ende shqiptarë që orvaten të marrin skafet, në përpjekje për t‘u larguar nga vendi! Është vërtet mesjetë të mendosh se fëmijët e shumë minatorëve të Bulqizës nuk shkojnë në shkollë, por rropaten shpateve të maleve për të gjetur mbeturina kromi për të mbajtur familjet e tyre! Dhe shteti ndihet i qetë, teksa mendon se minierat i ka dhënë me koncesion e se kështu i jep rrugë zhvillimit të biznesit në Mirditë apo gjetiu! Duke njohur këtë të vërtetë, të krijohet përshtypja sikur vetë shteti përplas shtresën e pasur me atë të varfrën! Është e pafalshme arroganca dhe dhuna e shtresave të pasura ndaj atyre në nevojë. Madje kjo arrogancë gati-gati është bërë e modës, a thua se të varfrit e kanë zgjedhur vetë këtë mënyrë jetese?! Jo! Ata nuk janë më pak aktivë. Ata kanë po aq ëndrra dhe fshehin në vetvete mundësi të pakufizuara zhvillimi për të ardhmen. Por atyre nuk u jepet mundësia të shprehen, nuk u krijohen kushte të aktivizohen. Dhe kësisoj, jashtë dëshirës së tyre, ata kthehen në "parazitë". Është shteti, që, nga paaftësia e tij menaxhuese, i shndërron këta njerëz të ndershëm në "parazitë"! Ndodh kështu, sepse konfigurimi i ri social lë shumë për të dëshiruar.



Përpara ligjit të gjithë janë të barabartë: edhe ai që sot bredh kazan më kazan për të gjetur ushqimin e përditshëm, edhe Kryeministri që lëviz shtet më shtet për të lidhur bashkëpunime në dobi të qytetarëve të vet. Por ky ligj nuk mjafton të jetë vetëm i shkruar. Ai lipset të zbatohet në praktikë, që shoqëria të mos mbetet një trup që vazhdojnë t‘i shtohen plagët.