Për të uruar besimtarët mysliman për festën e kurban Bajramit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u ndal në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Veliaj i bëri thirrje qytetarëve që të tregohen sa më solidarë me të pamundurit në raste festash.


Dua të falënderoj qindra vullnetarë të bashkisë, qendrave sociale, xhamive të Tiranës që mbrëmë kanë shpërndarë mish në mbi 2 mijë familje që janë në nevojë për ndihmë ekonomike. Ky është një apel sesi mund të jemi solidarë. Sot secila familje në drekë, në darkë që ka mundësinë të ketë një vakt ekstra në ndihmë të një nevojtari, një pensionisti të vetmuar, në ndihmë të një familje me ndihmë ekonomike le ta bëjë këtë. Nuk ka as xhamia dhe as bashkia monopolin e bamirësisë, tha kryebashkiaku i tiranës.


Por Veliaj nuk eliminoi në prononcimin e tij për mediat një mesazh me përmbajtje politike duke bërë thirrje për një muaj të qetë dhe pa sherre në skenën politike vendase.


Nuk jam naiv, – tha Veliaj, dhe e di që mrekullitë mezi ndodhin. E di që me tu kthyer shtatori me gjasë do të rikthehet sherri, do të rikthehet debati, konflikti. Por ndoshta dita e sotme është një ditë për të reflektuar pak, si do të kthehemi në shtator në Tiranë. Do kthehemi për të përçarë apo do të kthehemi për të bashkuar, do kthehemi për të lënduar njëri-tjetrin apo për të shëruar njëri-tjetrin, do kthehemi për ti vendosur njëri-tjetrit stërkëmbëshin apo për ti dhënë njëri-tjetrit dorën?.


Në fund Veliaj theksoi se nëse reflektojmë seriozisht, secili prej nesh me angazhimin që ka mund të luajë të njëjtin rol siç e luajmë ditët e festave ku të gjithë flasin për vëllazëri dhe bashkim, ama sa rikthehet sherri dhe rrëmuja jemi të parët që i hedhim benzinë zjarrit.


Besoj shumë, edhe lutem që shtatori të na gjejë të bashkuar dhe siç jemi në festa ashtu të jemi edhe në ditët e punës. Jam shumë i kënaqur me progresin e bërë me xhaminë e Namazgjasë. Në Tiranë turistët janë shtuar dhe një nga produktet kryesore është ai religjioz, theksoi ai.


21 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)