Nga Ylli DEMNERI


-Zoti Enver, ju thatë se shkak për survejimin tuaj u bë fjalimi që ju mbajtët në Kongresin e 7 të PPSH. Çfarë thatë ju në atë fjalim që nuk i pëlqeu të tjerëve?


Jo për mburrje, por në atë fjalim fola për herë të parë për Lirinë, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Aty dekllarova para të tërëve se : «Bar hajmë, po nuk do ti shkelim të Drejtat e Njeriut !» U trondit salla. E ndjeva që i kisha nxjerrë bela vetes, por, qëni qepën të hajë ! thashë. Një herë vdes burri ! Nuk durohet më kështu !


-Çfarë ndodhi në ditët që pasuan?


-Pas ca ditësh, një mëngjes të bukur, kur po bëhesha gati për të shkuar në punë, hedh sitë nga dritarja dhe shëkoj dy oficerë të Sigurimit. Aaaaa, thaç me vete, nuk është shënjë e mirë kjo. Mu prenë këmbët. Nga të shkoja ? Qëndrova në sallon për të parë se çdo të bënin. Kur vate ora 8 e 30 dhe ata e panë që ù spo dilnja për në punë, i ranë ziles. Dil, i thashë Nexhmijes, e po të pietën se ku është Enveri, i thuaj se ka shkuar në Gjirokastër. I ka vdekur një kushëri. Hoqi Nexhmija përparësen e u dolli. Kë kërkoni ?, i pieti. Enveri aty është ?, i thanë ata…


-Më falni që po ju ndërpres, po kush i kishte dërguar ata, sipas jush?


-Diktatura ! Kush tjatër?


-Po pastaj, çfarë bënë ato oficerët e sigurimit?


-Kur u tha Nexhmija se kisha shkuar në Gjirokastër, u larguan duke thënë se do të vinin një ditë tjatër. Po nuk besoj se e hëngrën.


-Kam dëgjuar se në diktaturë, nuk pyesnim shumë, futeshin mbrënda e të vinin prangat?


-Jo, jo, diktatura ka qënë ajo që ka qënë, po për hir të së vërtetës duhet thënë se i respektonin disa rregulla. Të themi atë që është, pastaja thonë dunjaja se po ia fut kot ki.


-Erdhën ato përsëri ashtu siç kishin thënë?


-Unë për 15 ditë nuk shkova në punë.


-Nuk dolët fare?


-Jo, jo ! As nè oborri. Fare. Ishin të rrezikshëm ata. Po si tia bëja për të vajtur ne doktori ? Duhej të justifikoja mungesat. Dëgjo, i them Sulos, ti do të vishesh si un e do të dalç, kur ata të të vihen nga prapa, unë do të hidhem nga krahu i mbrapëm i oborrit, e do vete të vizitonjem. Dakort, tha Suloja, po unë o komandat jam i shkurtër, nuk do ta besojnë. Kish të drejtë, ish i shkurtër mavria. Dëgjo, i thashë, ti hip mbi Nexhmijen, hidh sipër pallton teme, vër kapellën e ata do të pandehin për mua. Ashtu bënë. Kur morën rrugën për nga Komiteti Qëndror, siç bëja përdita, ata të sigurimit ju vunë nga mbrapa e unë u hodha nga krahu tjatër e vaç ne doktori. Nuk i trembesha burgut, se për të mbrojtur lirinë po futesha, por më vinte keq për djemtë, për çupën. Do të mbeteshin pa shkollë. Ay i madhi ishte i shkëlqier në mësime. Pranvera e Sokoli tërë dhjeta. Po të hyja ù në burg, i kishin rrugët e zëna. Do të përfundonin në ndonjë uzinë apo në ndonjë kooperative Për ta më digjej xhani.


-Unë nuk e kam jetuar atë periudhë, se jam i ri. Kam lindur mbas viteve 90, por kaq e tmerrshme ishte


-Diktatura ? Skishte më të tmerrshme. Mos e paç për kësmet, thuaj!


-Dhe kur mendon se ju keni qenë nga të parët që u futët në Partinë Komuniste


-Ashtu është, vërtet. Po në atë kohë kam qenë i ri fare, 33 vjeç, çilimi.


-Po ai rasti tjetër, kur ndodhi?


-Ai ndodhi kur vrau vetem Mehmet Shehu. Na thërrasin mua dhe Ramizin. Pse keni përshëndetur Mehmet Shehun kur e dinin që ishte poliagjent ? Po jemi komshi more të uruar ! Ku ta dija ù se çbënte Mehmet Shehu ? E përshëndesja hera-herës se i kishim shtëpitë pranë ! Po hajde mbushi mendjen atire !!! Më zunë ngushtë kur më pietëm në se kisha vajtur për vizitë në shtëpinë e Mehmet kur fejoi djalin. Nuk e dija se na kishte spiunuar njëri nga ne. Sdua që tia përmend ëmrin.


-Nga e morët vesh që Mehmeti kishte fejuar djalin?


– Vjen një ditë Ramizi për vizitë bashkë me gruan. Në muhabet e sipër na tha se Mehmeti kishte fejuar djalin. Po ti shkojmë, i thashë ù, se jemi dhe komshi të vjetër. Duallën gratë për të blerë nga një pako llokume, e vajtëm për vizitë. Po atë ditë, kishte qëlluar në shtëpinë tonë dhe një shok i birosë. Ay ishte vetëm. Pa gruan. Kur dolli Mehmeti poliagjent, na thirrën mua me Ramiznë. A keni qënë për vizitë te Mehmeti ku fejoi djalin ? Ne kundërshtuam, po çe do, ay tjatri i kishte tefterosur të tëra. Skishim nga tia mbanim.


-Po pastaj, çfarë ju thanë?


-E panë që nuk kisha ndonjë lidhje, e më lëshuan. Tya, më thanë mua, tya do të vemë një shënim te karta e antarësisë. Ramizin e mbajtën disa ditë.


-Si ka mundësi që dhe ju që ishit Sekretar i parë i Partisë, të trajtoheshit në këtë mënyrë?


-More, nuk të pieste Diktatura. Siç ta thashë, ishte e tmerrshme.


-Po kush ishin ata të Diktaturës? Organizatorët? Drejtuesit?


-Kam gjithë këto vite që e vras mëndje, e nuk e gjej. Ishte si fantazmë. Vinin e të godisnin kur sta merrte mëndja. Ka mundësi që Diktatura të vinte nga jashtë. Ja ashtu si hije. Se mora vesh që se mora! Edhe tani që jemi mbledhur të gjithë, e pies shpesh Pilon (Peristerin), Po hë, mo Pilo, kush e organizonte tërë atë Diktaturë?


7 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)