Mbledhja e parë e krijimit të komisionit nismëtar. Mungojnë emrat që drejtojnë sot Partinë Demokratike. Procesverbalet e mbajtura më 13-14 dhjetor. Grupet e para drejtuese të Partisë Demokratike, roli dhe detyra e 15 anëtarëve nismëtarë të partisë së parë politike në vend

Zbulohet dokumenti i krijimit të PD-së


TIRANË- Krejt rastësisht blloku është i kuq. Është një nga ato blloqet e vegjël shënimesh që rëndom mund të zotërojë çdokush, por që përbën dokumentin e parë zyrtar të krijimit të Partisë Demokratike. Deri më tani është thënë se nuk ekziston një dokument i shkruar mbi ato ditë të ethshme që ndryshuan jo vetëm jetën politike në vend. Në fakt ekziston ky bllok i kuq që hedh dritë jo vetëm për organizimin partisë së parë politike por edhe mbi personat që aso kohë morën përsipër drejtimin e saj. Shumica prej tyre, sot, pothuajse janë zhdukur nga jeta politike në vend.


Katër ditë më parë, në të vetmen ceremoni përkujtimore të tetë dhjetorit 1990 ndodheshin vetëm punonjës të Ministrisë së Kulturës, adoleshentë apo dhe njerëz që thoshin më të madhe që i përkisnin atij brezi të 18-të viteve më parë që solli demokracinë në vend. Përveç kryeministrit Sali Berisha që pritej të vinte, studentët e dhjetorit nuk u panë në këtë festë. Në fakt prej vitesh një pjesë e atyre personave që vërtet kanë kontribuar në ndryshimet politike në vend nuk janë më pjesë e saj. Disa prej tyre as që nuk njihen ndërsa një pjesë tjetër vorbulla politike është shumë e ngushte për ta. Pikërisht procesverbalet e mbajtura në mbledhjen e parë të krijimit të Partisë Demokratike hedhin dritë mbi personazhe roli i të cilëve ka qenë i padiskutueshëm vetëm në atë fund dhjetori të vitit 1900. Fill më pas, emrat e tyre janë fshirë nga pluralizmi i përzhitur i atyre ditëve. Kështu procesverbalet e mbajtura në mbledhjet e para të Partisë Demokratike më data 13 dhe 14 dhjetor flasin për Tefalin Malshyti, Shenasi Ramën, Arben Likën, Alma Bendon, Sokrat Nesturin, Ilir Myftarin, Merita Zaloshnjën Zenel Hoxhën. Këta nismëtarë të Partisë Demokratike jo vetëm që nuk janë ftuar në kremtime festash por as zëri nuk u është dëgjuar në 18 vitet pluraliste në vend. Megjithëse thuhet se nuk ekziston një dokument zyrtar i krijimit të PD-së, procesverbalet e mbajtura nga Ilenja Mëhilli përbejnë sot dokumentet e vetme të krijimit të pluralizmit në Shqipëri. Me një shkrim të bukur dhe korrekt, ish-studentja e dhjetorit ka mbajtur me shënim gjithçka që ka ndodhur në mbledhjet e para të Partisë Demokratike. Kështu në mbledhjen e parë është vendosur krijimi i Komisionit Nismëtar, një grup ky i përbërë nga 15 veta. Më pas komisioni përzgjedh grupet e punës për strukturave të partisë dhe në mbledhjen e 13 dhjetorit miratohet edhe rezoluta e parë politike në vend. Gjithçka është zbardhur me një shkrim dore ku më shumë se sa faktet histori bie në syemra që më pas morën drejtimin e partisë Demokratik nuk ekzistojnë në listën e shkruar nga studentja Mëhilli.


 


Grupi Nismëtar i Partisë Demokratike


Studentët: Azem Hajdari, Arben Lika, Tefalin Malshyti, Shenasi Rama, Blendi Gonxhja, Alma Bendo


Intelektualët:


Sali Berisha, Arben Imami, Preç Zogaj, Gramoz Pashko, Mitro Cela


Klasa punëtore:


Sokrat Nesturi, Ilir Myftari Merita Zaloshnja Zenel Hoxha


Më pas përfshihen dhe shtatë anëtarë të tjerë


Aleksandër Meksi, Arben Demeti, Genc Ruli, Eduart Selami, Bardhyl Reso, Petrit Dodbiba, Edmond Budina


Grupet e punës së ngritura më 14 dhjetor 1900


Grupi politik


Arben Imami


Blendi Gonxhe


Grupi organizativ


Arben Demeti


Grupi i Shtypit


Preç Zogaj


Mitro Çela


Grupi i Financave


Merita Zaloshnja


Grupi i sekretarëve


Eduart Selami


Ilenja Mëhilli


Grupi i shërbimeve


Arjan Manahasa


Ilir Dizdari


Deklarata e lexuar nga Azem Hajdari dy ditë para krijimit të Partisë Demokratike


Kërkesat e studentëve më 10 dhjetor 1900


Ne jemi përkrahës të reformave demokratike të nisura nga Presidenti Alia dhe për përshpejtimin e tyre. Ky ishte dhe qëllimi i manifestimeve tona paqësore. Kërkojmë fajtorët të cilët dhanë urdhër të përdoret dhuna mbi studentë. Kërkojmë që ata të gjykohen para qytetit studenti. Kërkojmë që të krijohet një komision prej studentësh dhe mjekësh për të verifikuar gjendjen e studentëve të plagosur. Kërkojmë pluralizëm politik si shkalla më e lartë e demokracisë së sotme. Si pasojë të lejohet krijimi i Organizatës së pavarur demokratike të Studentëve dhe Intelektualëve të Rinj.


Duam që kjo organizatë të ketë deputetët e vete në Kuvendin Popullor.


Të botohen karta e OKB-së, Karta e Helsinkit si dhe Karta e Parisit


Kërkojmë liri të shtypit dhe fjalës së lirë.


Kërkojmë të gjendet rrugë dhe zgjidhje sa më efikase për të dalë nga gjendja e krizës në të cilën ndodhemi,


Kërkojmë takim me Presidentin Alia


Kërkojmë që studentët të mos ndiqen penalisht, të mos përdoret dhuna dhe presioni si dhe të mos persekutohen në mënyrë të tërthortë.


U bëjmë thirrje të gjithë intelektualëve, personaliteteve dhe të gjithë atyre që duan SHQIPËRINË të mbështesin kërkesat tona dhe të bashkohen me ne.


Dokumenti i parë zyrtar që shënon themelimin e partisë së parë pluraliste në Shqipëri. Kush ishin nismëtarët


Arben Demeti: Si u krijua Partia Demokratike


Themelimi i Partisë Demokratike shqiptare shënohet në një listë që shumë vite më pas mund të quhet edhe “Deklarata themeltare e krijimit të pluralizmit shqiptar”. Ajo është fshirë nga të gjitha deklarimet politike për faktin e vetëm që njerëzit që morën meritat, nuk figurojnë në të. Një ndër personat që ka qenë i pranishëm në hartimin e kësaj liste është Arben Demeti. Ai rrëfen për gazetën “Shekulli” ato ditë të etshme që sollën pluralizmin si dhe krijimin e partisë së parë politike në vend. Ajo që nisi si një lëvizje e pastër studentore por që më pas u shndërrua në PARTI.


Zoti Demeti ju keni qenë ndër mbështetësit e parë të studentëve dhe më pas sekretar organizativ i Partisë Demokratike. Si ndodhi që kjo lëvizje përfundoi në krijimin e një partie?


Para se të fillonte lëvizja studentore, ajo që të gjithë ne dimë me datë 8-9 dhjetor, prej dy- tre javësh në qytetin studenti qarkullonte një letër për të firmosur. Bënte thirrje për organizimin e një organizate që do të quhej organizata e studentëve dhe intelektualëve të rinj. Këta ishin nismëtarët e parë që ishin një grup studentësh dhe pedagogësh të godinës 15-të dhe kuptohet gjithçka ishte sekrete. Pastaj përkoi edhe lëvizja studentore dhe kuptohet që një nga kërkesat kryesore, d.m.th para takimit me Ramiz Alinë, ishte vendosja e pluralizmit politik. Po atë ditë që është bërë takimi ndërmjet studentëve dhe Alisë është bërë dhe mbledhja e Plenumit të Komitetit Qendror ku një ndër vendimet e marra ishte që në interes të zhvillimit të vendit lejohej edhe krijimi i organizatave të tjera krahas Partisë së Punës. Ndaj dhe në takimin me ish- presidentin Aliaj u kërkua që kjo organizatë që u krijua a mund të quhej Parti. Ai tha po mund të quhet Parti. Në fakt nga ne u tha se nuk është quajtur e tillë dhe meqenëse ju thoni po ja ku e keni mikrofonin pohojeni një gjë të tillë. E quajtëm të mbyllur këtë çështje. Fillimisht mendohej të quhej partia e studentëve dhe intelektualëve të rinj. Pra me këtë ide dhe më këtë kapital politik ne dolën nga takimi me Ramiz Alinë pasi u lejua krijimi i pluralizmit në Shqipëri. Grupi u tërhoq në shtëpinë e Gramos Pashkos. Ideja e këtij grupi, dhe në fakt ishte ide e shkëlqyer,që të mos bëhej më fjalë për një parti të kufizuar të studentëve dhe të intelektualëve por të bëhej fjalë për një parti më të gjerë, më popullore.


Nga kush përbëhej ky grup?


Aty ishte Gramoz Pashko, Arben Imamai, Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Eduart Selami, Genc Ruli. Mund të kenë qenë dhe të tjerë po natyrisht edhe aty ka pasur diskutime. Megjithatë vetëm me datë 12 është vendosur për emrin e partisë, pasi grupi i punës ka ardhur në qytetin studenti. Aso kohe diskutoheshin dy variante, të quhej Parti Demokratike apo Lidhja Demokratike. Emri parti na vriste veshin për shkak të Partisë së Punës ndërsa me Lidhjen Demokratike bënim një farë dualizmi me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kështu që vendosëm paradite më 12 dhjetor të quhej Partia Demokratike. Aty u njoftua që në orën 16-të do të bëhej një miting për njoftimin e krijimit të Partisë Demokratike. Më pas kemi zhvilluar një mbledhje tek godina 15 me përbërjen e Asamblesë së Studentëve dhe Pedagogëve dhe Përfaqësuesit e klasës punëtore. Për rreth dy orë kemi rakorduar idetë tona dhe shpjeguar programin e partisë të të gjithë pranishmëve ku salla ishte e mbushur plot. Rreth orës 15 e 50 kemi mbaruar mbledhjen. Aty është shpallur krijimi i Partisë Demokratike.


Ju thoni që ky është fillimi. Ka ndonjë dokument që e vërteton këtë gjë?


Jo. Nuk është mbajtur asnjë lloj dokumenti. I vetmi dokument që qarkullonte ishte programi ku diskutoheshin pikat e tij dhe njerëzit miratonin nëse ishin pro apo kundër tij.


Mbledhja e parë e dokumentuar cila është?


Ka qenë ajo e datës 13 dhjetor ku është krijuar edhe komisioni drejtues i Partisë Demokratike. Kjo është zhvilluar në sallën e kino-klubit ku të gjithë ishin nismëtar por ende të paformuar të partisë. Ideja e kësaj mbledhje ishte që të zgjidhnim organin drejtues. Detyra e këtij organi ishte fillimi i punës për organizimin e Partisë Demokratike. Drejtimin e asaj mbledhje e ka marrë me iniciativën e tij Sali Berisha.


Ai u vetëemërua apo u zgjodh?


Thjesht është ngjitur në presidium bashkë me Azem Hajdarin dhe Arben Imamin. Sali Berisha filloi të fliste dhe propozoi që Azemi të ishte kryetar i komisionit të parë nismëtar të Partisë Demokratike dhe kjo u miratua. Pastaj u mendua që të votohej një komision dhe aty nisën të dilnin propozimet e para. U fiksua që komisioni nismëtar të ishte me një numër prej 15 vetash i përbërë nga studentët, intelektualët dhe ato të klasës punëtore. Propozimet u bënë kryesisht në baza njohje jo mbi bazën e meritave. Ndërsa për përfaqësuesit e klasës punëtore pati propozime nga salla që u miratuan. Në fund u miratua një listë nismëtarësh: Azem Hajdari, Arben Lika Blendi Gonxhe Tefalin Malshyti, Shenasi Rama, Alma Bendo, Gramoz Pashko, Sali Berisha, Arben Imami, Preç Zogaj, Mitro Çela, Ilir Myftari, Sokrat Nesturi, Merita Zaloshnja dhe Zenel Hoxha.


A janë marrë vendime të tjera në këtë mbledhje?


Jo. Është vendosur vetëm krijimi i komisionit nismëtar detyra e të cilit ishte organizimi i Partisë Demokratike.


A është diskutuar në këtë mbledhje për nivelin drejtues dhe për qëndrimin që duhej të mbahej politikisht?


Kryetari ishte vendosur që të ishte Azem Hajdari dhe kjo ishte vendosur në mbledhje e madhe. Ndërsa shqetësimi ynë në këtë mbledhje ishte vetëm krijimi i strukturave dhe qëndrimi që duhet të mbahej për situatën e krijuar në Shkodër e Kavajë. Ka pasur edhe emra të tjerë që kanë kontribuuar si Gramoz Pashko, Genc Ruli, Aleksandër Meksi, Eduart Islami dhe unë. Por emrat tanë nuk figurojnë në këtë mbledhje të parë. Më 11 dhjetor u shpall pluralizmi dhe të nesërmen, falë idesë së dhënë për krijimin e një partie popullore, u shpall krijimi i Partisë Demokratike.


Zyrtarisht ky është dokumenti i vetëm që zyrtarizon krijimin e Partisë Demokratike?


Ky bllok shënimesh i mbajtur nga një prej aktivistëve është dokumenti i parë zyrtar që dëshmon krijimin Partisë Demokratike. Por një nga detyrat që u vu në mbledhjen e datës 13 ishte që të mblidheshin 300 firma për t’i paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën për legalizim. Është caktuar Eduart Selami që të organizonte punën për mbledhjen e firmave. Mbaj mend se deri më datë 15 dhjetor janë mbledhur këto firma dhe u dërguan në Ministrinë e Drejtësisë. Pastaj më datë 19 dhjetor të vitit 1990, kemi qenë Eduart Selami, Genc Ruli dhe unë shkuam në Ministrinë e Drejtësinë dhe morëm sihariqin e legalizimit të Partisë Demokratike.


Ku ndodhen tashmë këto dokumente?


Këto procesverbale i ka mbajtur një studente që ka qenë e pranishme dhe në takimin me Ramiz Alisë. Ajo quhet Ilenja Mëhilli, e cila ka mbajtur disa procesverbale të rëndësishme në mbledhjet e para. Unë e kam marrë e kam ruajtur se kush e di se ku do të përfundonte dhe me qenë se tashmë është bërë me dije unë do ta dorëzoj në arkivin e shtetit sepse është një dokument që i përket historisë së Shqipërisë ku për herë të parë flitet për pluralizmin në vend.