Plot 13 persona përfunduan në prangat e policisë në Foggia të Italisë, duke shkatërruar kështu një organizatë kriminale që merrej me trafikun e drogës.


Operacioni i koduar Coast to Coast, (nga bregu në breg) erdhi pas hetimeve të zhvilluara prej kohësh ndaj organizatës që merrej me trafikun e sasive të mëdha të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë.


Sasia më e madhe e drogës është sekuestruar në vitin 2014, ku në një anije në ujërat territoriale italiane janë sekuestruar më shumë se 1000 kg marijuanë, duke arrestuar shqiptarin Ismail Sheqi, 26 vjeç dhe italianin Ciro Del Bravo, 48 vjeç.


Organizata parapëlqente ta shkarkonte lëndën narkotike në gjirin e Vieste-s në Foggia.  Arrestimet e mëtejshme ndodhën në korrik të vitit 2014, ku përfundoi në pranga shtetasi italian Antonio Frattaruolog, të cilit iu sekuestruan 10 kg marijuanë.


Por, kush qëndronte në krye të trafikut? Organizata kriminale drejtohej nga Libero Frattaruolo dhe Gaetano De Vivo si dhe Roland Lame e i biri Fabio Lame me origjinë nga Shqipëria dhe me nënshtetësi italiane. Sipas mediave italiane, Roland Lame organizonte trafikun e drogës nga Shqipëria, ndërsa i biri i tij Fabio Lame kishte të gjitha kontaktet me rrjetin e drogës.


Por, emri i shqiptari Roland Lame nuk është i panjohur për drejtësinë vendase. Ai është arrestuar në vitin 2001 për të njëjtën akuzë.


Në atë kohë, ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar Iliria, ku u sekuestruan një sasi e konsiderueshme prej 1 218 kg marijuanë, 1143 kg heroinë dhe kokainë, armë, etj, pjesë e një organizate italo-shqiptare.


Në atë periudhë u zhduk edhe një nga partnerët e tij në biznes, italiani Ruggiero Tresca, i cili bashkë me shqiptarin Roland Lame kishte hapur një lokal për të mbuluar veprimtarinë e tyre në fushën e trafikut të drogës. Biznesmeni u gjet i vdekur pak muaj më parë, pas më shumë se 15 vitesh i zhdukur.


Arrestimi i Roland Lames nuk përfundoi atëherë. Ai u arrestua edhe në vitin 2002, 2006 dhe vitin 2008.


Rrjeti i trafikut besohet të ketë rreth 100 ushtarë, ndërsa trafikonte përveç kanabisit, edhe heroinë e kokainë, kryesisht nga Shqipëria por edhe nga Holanda. Është ende e panjohur se si Lame arriti të merrte nënshtetësinë italiane, edhe pse kishte kaq shumë probleme me drejtësinë.


Organizata kujdesej që në radhët e saj të përfshinte në radhët e saj persona me rëndësi, në mënyrë që të mos ngjallnin dyshime ndaj tyre.


Roland Lame dhe i biri, gjatë hetimeve, ka rezultuar se kishin lidhje të rëndësishme me kanalet e trafikantëve të ndryshëm shqiptarë. Shumica e të arrestuar janë me precedentë të përtashëm penalë.



/Ora News/


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter