18-11-2012 / Gazeta 55

Naltmadhnia e Tij Zog I, Mbret i Shqiptarëve, lindi më 8 Tetor 1898, në Burgajet - Mat, në një kështjellë të ndërtuar rreth shekullit të XV. Mbreti Zog ndërroi jetë në spitalin “Foch” të Parist, më 8 Prill 1961.

Shpallja Mbret i Shqiptarëve
Ishin vitet ‘20, Shqipëria po kalonte kriza të thella politike dhe stabiliteti politik i vendit ishte i paqëndrueshëm, mbas një propozimi të bërë nga disa deputetë, parlamenti vendosi që të merrte në shqyrtim regjimin shtetëror. Mbas zgjedhjeve të parakohshme më 25 Gusht 1928, u propozua ndërrimi i formës së qeverisjes, u formua komisioni i statutit, i cili propozoi ndërrimin e formës së regjimit nga republikë në monarki. Ky propozim u hodh në votim më 30 Gusht 1928 dhe Asambleja Kushtetuese proklamoj Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashëgueshme.
Më 1 Shtator 1928 Asambleja Kushtetuese proklamoj: Mbret Të Shqiptarëve nën emnin Zog I, birin të dalun prej gjinit të vet SHPËTIMTARIN E KOMBIT ‘AHMET ZOGUN’ i zbritun prej familjes së famshme ‘ZOGU’”.
Pas kësaj proklamate, parlamenti formoi një komision i cili do ti komunikonte Naltmadhnisë së Tij, vendimin dhe do ti ofronte Fronin Mbretëror. Mbasi e pranoi fronin, Naltmadhnia e Tij Zog I, Mbret i Shqiptarëve bëri betimin mbi Biblën dhe Kuranin. Ai u betua: “Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hudh kambën mbi Thronin e Mbretnis Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajtë Bashkimin Kombëtar, Indipendencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjëve që ndodhen në zbatim, duke pasë parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.

Aktiviteti politik
Më 28 Nëntor 1912, në shpalljen e pavarësisë në Vlorë nga Ismail Qemal Bej Vlora, Matin, Dibrën dhe Mirditën do ta përfaqësonte NMT Zog I, i cili kryesonte delegacionin prej 26 krerësh të shquar të këtyre trevave.
Në vitin 1919 Shqipëria rrezikonte realisht copëtimin territorial në favor të fqinjëve shovenë. Në këto rrethana, nën ndikimin e vokacionit dhe formimit të lartë atdhetar, Ahmet bej Zogu rikthehet në aktivitetin politik, duke kërkuar mbajtjen urgjente të një kongresi kombëtar, për të institucionalizuar dhe organizuar mbrojtjen e fateve të atdheut dhe shqiptarëve, kongres ky që u mbajt në Lushnje nga 21-31 janar 1920, e që u sigurua ushtarakisht prej Tij me 9 mijë luftëtarë. Pas përfundimeve të Kongresit që miratoi edhe Qeverinë e re të vendit, Ahmet bej Zogu u emërua Ministër i Brendshëm ne moshen 25 vjecare.
Më 2 dhjetor 1922 për herë të parë emërohet kryeministër. Në këtë post, Ahmet bej Zogu ishte i pari që nisi punën për hartimin e ligjeve organike të ministrive. Për këtë qëllim ai ngriti grupet e ekspertëve me nga 2 përfaqësues për çdo ministri.
Në dhjetor 1924, me vendim të qeverisë “Vrioni” dhe me përkrahjen e Fuqive të Mëdha, Zogu riktheu legjitimitetin e Qeverisë dhe të pushtetit legjitim të dalë nga zgjedhjet parlamentare të tetor-dhjetorit të vitit 1923 dhe të rrëzuar me rebelim antikushtetues në qershor të vitit 1924. Më 6 janar 1924, Këshilli i Naltë e dekreton kryeministër dhe ministër të Brendshëm. Më 21 janar 1924 Kuvendi Kushtetues shpalli “Republikën Shqiptare”.
Dhjetë ditë më vonë, Ahmet bej Zogu u zgjodh nga Kuvendi Kushtetues “Kryetar i Republikës”, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i pushtetit ekzekutiv.
Gjatë kësaj kohe Ahmet Zogu rivendosi stabilitetin dhe mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake, çka forcoi ndjeshëm pozitat e Shqipërisë.
Më 1 shtator 1928 Asambleja Kushtetuese e shpalli Presidentin Ahmet Zogu “Mbret të Shqiptarëve”.



...