Kush po e përgjon prej shumë kohësh Ben Blushin?


Kjo është pyetja që lind kur sheh se portalet janë përfshirë në një betejë, për të nxjerrë foto të darkave, shëtitjeve apo takimeve që drejtori i Përgjithshëm i Top Channel kryen në përditshmërinë e tij.


Ai është shkëputur prej rreth dy vitesh nga politika aktive, duke marrë përsipër një detyrë profesionale, që përkon me rivitalizimin e kështjellës mediatike Top Channel.


Por, Ben Blushi duket se është bërë objekt survejimi i medias dhe sdihet se kujt tjetër. Si një qytetar i lirë, ai jeton jetën e tij, por gjatë gjithë kësaj kohe është fotografuar dhe përndjekur fshehurazi në punë dhe në jetën private.


Portalet kanë nxituar të ndërtojnë vazhdimisht histori fiction-i, të pabazuara mbi asnjë fakt, por mbi foto, duke e katapultuar Ben Blushi në postin e ministrit të qeverisë Rama.


Ben Blushi dhe biznesmeni Samir Mane duke hyrë në Kryeministri

Dhe tani, pas një fotoje të tij me mikun Samir Mane duke hyrë në Kryeministri, e kanë emëruar edhe kryeministër të qeverisë së ardhshme tranzitore që mund të drejtojë Shqipërinë.


Fakt është që kjo foto nuk do të thotë asgjë për karrierën e Ben Blushit, pasi si një njeri i thjeshtë ai mund të shkojë ku të dojë dhe të vizitojë apo takojë persona të ndryshëm gjatë ditës.


Por ky nuk është rasti i vetëm kur portalet kanë kthyer në temë të ditës një foto të Drejtorit të Top Channel.


Shumë kohë më parë në shkelje të ligjit dhe privatësisë, nga kamerat e një hoteli me pesë yje në kryeqytet doli dhe u bë objekt sulmesh nga portalet dhe ish-kryeministri Sali Berisha, një tjetër foto.


Asokohe Ben Blushi takonte mikun e tij, gjyqtar në Gjykatën e Lartë Ardian Dvorani, ashtu si çdo qytetar mund të bëjë në Republikën e Shqipërisë.


Dhjetra portale shkruanin se Blushi po ndikon tek gjyqtarët që kanë në shqyrtim gjyqin e pronësisë së Top Channel, mes presidentes Vjollca Hoxha dhe ish-ortakëve të saj, por vetë gjyqtari Dvorani sqaroi publikisht se nuk është pjesë e trupës së Kolegjit në gjyqin e Top-Channel.


Jo vetëm të nesërmen e takimit me zotin Blushi, pra në datën 25.05.2018, por as edhe në ndonjë datë tjetër të mëparshme apo të mëvonshme, nuk kam marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes civile me nr. 11243-03031-00-2017, për të cilën Kërkuesit kërkojnë përjashtimin tim. Unë jam gjyqtar i Kolegjit Administrativ dhe jo i Kolegjit Civil. Pra, si rregull, nuk kam në cilësinë e relatorit çështje civile për shqyrtim dhe nuk kam detyrimin të marr pjesë në shqyrtimin e çështjeve civile në Kolegjin Civil, shkruante Dvorani.


Ben Blushi dhe Ardian Dvorani

Gjithashtu përdorimi i pamjeve të kamerave të sigurisë në këtë rast është bërë për qëllime keqdashëse, jo të përcaktuara nga Agjencia përkatëse sipas ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe është i dënueshëm me gjobë.


Por, Blushin nuk e lanë të qetë as në Angli. Edhe prej andej në portalet e Tiranës u publikua një foto e takimit të tij me Sonila Meço dhe teza që u përhap gjerësisht ishte se biznesmeni italian Fancesco Beçhetti do të blejë Top Channel dhe gazetarja në fjalë do bëhej pjesë e kompanisë.


Ben Blushi dhe Sonila Meço në Londër

Edhe ky rezultoi një lajm i sajuar, pasi Top Channel vijon të jetë pronë e familjes Hoxha.


Drekën miqësore me aktorin e njohur të humorit Agron Llakaj gjithashtu e shitën si një rikthim të tij në skenën e Portokallisë, por që dolën huq shpejt, pasi Top Channel dhe humoristi vijojnë te ecin në rrugë të ndara.


Ben Blushi fotografuar në Tiranë me Agron Llakaj

Një tjetër foto që u bë lajm dhe mbi të cilën u ndërtuan disa histori, ishte ajo e drekës së Ben Blushit me këshilltarin e kryeministrit, Endri Fugën dhe ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja.


Vetë Endri Fuga nuk e mohoi takimin me Drejtorin e Top Channel, por duke i konsideruar shpifje historitë e portaleve, kërkoi asokohe nga Departamenti Antishpifje formulimin e padive civile përkatëse.


Ben Blushi duke drekuar me këshilltarin e Kryeministrit, Endri Fuga

I keqardhur për shpifjet e disa portaleve lidhur me një na dhjetëra takimet e mia te ditës së punës, kërkova nga Departamenti Antishpifje formulimin e padive civile përkatëse. Me leket e fituara do propozoj realizimin e një Abetareje Speciale për humbësit e gjyqeve për shpifje, shkruante Fuga në Twitter.


E vërteta e madhe, por që si duket disa nuk duan ta pranojnë është se Ben Blushi prej rreth dy vitesh vazhdon me përkushtim detyrën e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Top Channel.


Pavarësisht detyrës që i është caktuar, ai është njeri i lirë për të takuar këdo, dhe nuk ka asnjë arsye që ti japë llogari askujt që aludon dhe sajon histori të pavërteta mbi figurën e tij.


Por vlen të theksohet se cënimi i privatësisë së individit përbën shkelje që mund të dënohet sipas nenit 108 të Konventës për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore të aplikuar në vendet e BE, ku Shqipëria aspiron të bëhet pjesë.


Gazeta Shqip