Viktima, Marvi Mihali

Saga e familjes Mihali për djalin e vrarë për një karikues dy vjet më parë vazhdon përmes seancave gjyqësore jo vetëm mes dhimbjes e dëshpërimit, por edhe akuzave që kalojnë çdo vlerë dhe moral njerëzor.


Në seancat e fundit gjyqësore, baballarët e dy prej të akuzuarve si bashkëpunëtorë në vrasjen e Marvit, kanë nisur të devijojnë nga procesi gjyqësor, duke tërhequr vëmendjen mediatike me deklarata të tipit, si dëmshpërbim apo presione nga pala e dëmtuar.


Në seancën e fundit gjyqësore, prindërit e Marvi Mihalit, kanë pritur një ndjesë nga ana familjarëve të autorëve, por nuk e kanë marrë një gjë të tillë.


Diskutimi nisi për pretendimin e babait të një prej të pandehurve, se Mira dhe Pavllo Mihali kanë kërkuar dëmshpërblim monetar për vrasjen e të birit.


Vëllezërit Bitraj, prindër të dy kushërinjve të akuzuar si bashkëpunëtorë në vrasje

Në një deklaratë për mediat jashtë sallës së gjyqit, babai i njërit nga të pandehurit u shpreh: U fyeva në sallën e gjyqit, sepse i ktheva kusurin. Ata kërkuan dëmshpërblim, ata duan lekët. Nuk kam dashur ti kthehem ballë përballë për ti respektuar dhimbjen, po ai është sjellë si fëmijë.


Një akuza e përgënjeshtruar menjëherë nga prindërit e viktimës, të cilët kërkojnë vetëm drejtësi dhe asnjë dëmshpërblim financiar.


Po si qëndron e vërteta e përbaltjes së gjyqit të Marvi Mihalit? Rreth një vit më parë, avokati i familjes Mihali, për të përforcuar akuzat e ngritura, kërkoi edhe një dëmshpërblim financiar, por që mbeti vetëm në formën shkresës, pa vijuar me kërkesa ndaj gjykatës.


Ky është dokumenti që avokati i familjes Mihali është tërhequr nga padia civile apo pretendimi për dëmshpërblim financiar

Pikërisht këtu nis dhe alibia e palës së akuzuar, se sipas tyre po tentohet tiu kërkohet 340 milionë lekë si dëmshpërblim. Por më shumë se kjo e fundit, duket se prindërit e vrasësve të Marvi Mihalit, po përpiqen të ngrenë një stuhi në gotë në media për të përbaltur familjarët e viktimës.


Pas çdo seance gjyqësore ata dalin në deklarata, sikur të jenë mësuar nga ekspertë të kësaj fushe, ndoshta edhe të rangut mediatik, për të zbutur akuzat ndaj fëmijëve të tyre.


Ndërkohë që prindërit e Marvit, i kanë akuzuar në media se janë pikërisht ata që kanë tentuar të blejnë gjyqtarët, duke bërë lloj lloj presionesh që fëmijët e tyre të dalin të pafajshëm apo të dalin të palagur nga kjo çështje.


Prindërit e Marvit, Pavllo dhe Mira Mihali

Një çështje absurde në fakt, pasi në një kohë që pala e familjarëve të akuzuar duhet të ulë kokën dhe të pranojë përgjegjësinë për një viktimë të pafajshme, ngre akuza dhe krijon insinuata për të krijuar akuza të reja dhe tym rreth gjykatësve.


Ndërkohë, mbrojtja e të pandehurve, Eugen Bitraj, Kridens dhe Marsel Alla, kërkuan pafajësi për akuzat e ngritura gjatë seancës, ndërsa mbrojtja e Dejvis Bitrajt, kërkoi ndryshimin e veprës penale, duke pranuar vrasjen, por të kryer përtej kufijve të mbrojtjes.


Nga ana tjetër gjykata shtyu seancën dhe pritet që vendimi përfundimtar të jepet në 11 prill, ora 12:00. Marvi Mihali u vra para dy vitesh, vrasje e cilësuar për një karikues, ku sipas hetimeve viktima nuk kishte lidhje me ngjarjen. Konflikti për karikuesin ishte mes Armend Haxhiut dhe Dejvi Bitraj, por viktimë ka mbetur Marvi Mihali.


Gazeta Shqip