Aristir Lumezi

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar disa nga kompetencat e kancelarit të gjykatave të Shqipërisë. Në vendimin e saj, i cili ende nuk është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës, konsiderohet cenim i Kushtetutës kompetencat e reja të kancelarit të gjykatës për “emërimin dhe shkarkimin e personelit të sekretarisë gjyqësore dhe personelin administrativo-teknik të shërbimeve të gjykatës” dhe “mbikëqyrjen e procesit të organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit si dhe nënshkrimin e përcjelljes së praktikës së çështjes gjyqësore te gjyqtari i caktuar”. Sipas arsyetimit të gjykatës, këto kompetenca cenojnë rëndë pavarësinë e pushtetit gjyqësor nga ekzekutivi, përmes kancelarit, i cili emërohet dhe shkarkohet nga Ministri i Drejtësisë. Kërkesa për shfuqizimin e këtij ligji, është bërë nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, ndaj ligjit Nr. 9877, të miratuar në parlament në 18 shkurt 2008 “Për organizimin e Pushtetit gjyqësor”. Në nenin 37 të këtij ligji, sanksionohet se “Kancelari i gjykatës drejton dhe përgjigjet për shërbimet ndihmëse në gjykatë” dhe “Kancelari emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë”. Sipas diskutimit të bërë në Gjykatën Kushtetuese, pika ku cenohet më rëndë pavarësia e Gjyqësorit është neni 38/b e ligjit të ri; “Kancelari mbikëqyr procesin e organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit si dhe nënshkruan përcjelljen e praktikë së çështjes gjyqësore te gjyqtari i caktuar”. Me këtë dispozitë, Kushtetuesja gjykon se pushtetit gjyqësor i është hequr e drejta e administrimit të shërbimeve gjyqësore duke ia deleguar këtë kompetencë ekzekutivit, përmes ministrit të Drejtësisë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, neni 145/1-3 sanksionon se “Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve” dhe më poshtë se “Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve pa sjellë përgjegjësi sipas ligjit”. Këto dy përcaktime urdhëruese sipas Gjykatës Kushtetuese garantojnë një pushtet gjyqësor të pavarur, por dhe organizim e funksionim të pavarur të këtij pushteti. Gjykata Kushtetuese gjykon se kompetencat e reja që i janë dhënë kancelarit të gjykatave përmes ligjit të ri prekin kushtetutën dhe efektivitetin e pushtetit gjyqësor në tre drejtime; në cenimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor si parim kushtetues, në cenimin e pavarësisë organizative të pushtetit gjyqësor dhe në cenimin e pavarësisë funksionale të pushtetit gjyqësor. Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese shfuqizon kompetencat e kancelarit për “emërimin dhe shkarkimin e personelit të sekretarisë gjyqësore dhe personelin administrativo-teknik të shërbimeve të gjykatës” dhe “mbikëqyrjen e procesit të organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit si dhe nënshkrimin e përcjelljes së praktikës së çështjes gjyqësore te gjyqtari i caktuar”. Por Gjykata Kushtetuese la në fuqi nenin 37/2 të ligjit të fundit të qeverisë për pushtetin gjyqësor, i cili sanksionon emërimin dhe shkarkimin e kancelarit të gjykatave nga ministri i Drejtësisë.

Ku shkelet Kushtetuta



    Ligji i ri për Gjyqësorin është antikushtetues sepse:
    Cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor si parim kushtetues
    Cenon pavarësinë organizative të pushtetit gjyqësor
    Cenon pavarësinë funksionale të pushtetit gjyqësor