Aristir Lumezi

"I kthyem borxhin PD-së për mungesën e saj në debatin për kushtetutën e 1998". Ish-kryeministri socialist, Pandeli Majko, u shpreh dy ditë më parë se ndryshimet e fundit kushtetuese, të votuara nga PD dhe PS, ishin edhe një shlyrje borxhi ndaj Partisë Demokratike për mungesën e saj në debatin e kushtetutës së vitit 1998. Këtë deklaratë Majko e bëri gjatë emisioni "Top Shou" në Top Channel me gazetarin Alban Dudushi. Gjatë debatit për 10-vjetorin e miratimit të kushtetutës së 1998, deputeti socialist justifikoi konsensusin e fundit PD-PS të 21 prillit për ndryshimet kushtetuese, si një shlyerje e hartimit të draftit të 98, që u bë pothuaj në mungesë të plotë të PD-së. Deklarata e Majkos ka ngjallur diskutime në emisionin e Dudushit, por deputeti socialist ishte i prerë në deklaratën e tij; "Ky është pozicioni im!", tha Majko. "Unë kam mbajtur qëndrime rreth bashkëpunimit të PD me PS, madje kam pasur kosto për këtë. Pavarësisht se mund të kemi rezerva dhe të ndajmë rezerva, kjo është e natyrshme, në një mënyrë apo tjetër, ne i kthyem një lloj borxhi partisë më të madhe të së djathtës, e cila nuk ishte prezente në diskutimin e kushtetutës së 98. Ky është pozicioni im", tha Majko. Deputeti socialist i konsideroi ndryshimet e fundit kushtetuese me bashkëpunimin PS-PD si pozitive në përputhje me zhvillimet politike në vend. "Në politikë mund të pranosh të padrejtën por e rëndësishme është se s'duhet të bëjmë gabime. Flitet dhe akuzohemi sikur ne jemi bashkëpunëtorë të Berishës, por unë mendoj se është bërë diçka e mirë, duke i dhënë të drejtë edhe partisë më të madhe të së djathtës për të ndryshuar atë dokument, pa i hequr të drejtën askujt nesër të rihapë diskutimin për të rregulluar ato që ai i konsideron të gabuara", tha Majko.
Duke komentuar referendumin e 1994, Majko u shpreh se në të, opozita e atëhershme, e majta tregoi forcën e saj. "Ishte një humbje shumë e rëndësishme për procesin politik shqiptar në atë kohë. Opozita tregoi muskujt në këtë proces ku mungonte konsensusi", tha Majko.