Pak ditë na ndajnë nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ky akt, që ka nisur me hartimin dhe miratimin nga Kuvendi ynë, përbën njëherësh edhe një fakt historik. 15 qershori do të shënojë ditëfillimin e një shteti edhe si datëfillimi i cilësimit "shtet ligjor". Sipas logjikës demokratike, shteti ngrihet dhe strukturohet mbi ligjin, kurse shteti i Kosovës, i shpallur dhe i njohur si shtet i pavarur nga mbi 40 vende të botës deri tashmë pritet të bëhet e të jetë i tillë me shpalljen dhe vënien në funksion të Kushtetutës. Më 15 qershor institucionet legjitime të shtetit të Kosovës kanë të drejtën, detyrimin dhe përgjegjësinë të jenë më vepruese dhe më të përgjegjshme për të sotmen dhe ecurinë në rrugën e prosperitetit, sigurisë, mirëkuptimit dhe realizimit të aspiratave demokratike të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Unë, që edhe kam hezituar e jam shfaqur publikisht dyshues për karakterin "liberal" të Kushtetutës së pritshme, lidhur me njohjen dhe sanksionimin kushtetues të të drejtave dhe lirive të minoriteteve etnike, jam subjektivisht dakord për një datëfestë të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. 15 qershori është data festë e shtetit, që ka arritur të vendosë dhe të mbajë të ngritur flamurin e vet shtetëror në BE, në Bruksel; të ekzistojë dhe të funksionojë si Republikë Demokratike (shtet ligjor). Nuk janë të pakta shtetet anëtare të OKB-së, që nuk besojnë sa duhet në zbatimin e Kushtetutës nga institucionet aktuale shtetërore të Kosovës. Dyshimi i tyre është i përligjur nga përvoja botërore e respektit dhe e realizimit të të drejtave të minoriteteve nga një shumicë e madhe shtetesh, madje edhe nga disa shtete, simbole të demokracisë në Evropë, që ende nuk e kanë nënshkruar "Konventën Evropiane për të Drejtat e Minoriteteve". Kjo është arsyeja që bashkësia ndërkombëtare i mëshon respektimit dhe zbatimit të të drejtave të minoriteteve në Kosovë, në prag të hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Është kjo arsyeja, që Komisioni i Helsinkit në SHBA ka mbajtur një seancë dëgjimore për gjendjen aktuale të pakicave kombëtare në Kosovë. Jam dakord me këtë shqetësim ndërkombëtar, që është i vlefshëm edhe për shumicën e vendeve fqinje të Kosovës, pa përmendur këtu edhe vende anëtare të BE-së. Institucionet legale shtetërore, që hartuan dhe e miratuan Kushtetutën, tashmë presin zbatimin e saj. Këtë presin edhe ndërkombëtarët, por më të interesuarit, përgjegjësit e drejtpërdrejtë dhe më të angazhuar janë strukturat tona shtetërore, siç janë të kundër interesuar, madje dëshirojnë dështimin e zbatimit të Kushtetutës në Kosovë serbo-rusët. Pa hyrë në diferencat mes qëndrimeve të shteteve pro dhe anti shtetit të pavarur të Kosovës për respektimin dhe zbatimin e të drejtave kushtetuese nga shteti Sovran, dua të tërheq vëmendjen për unifikimin e bashkekzistencës të dy koncepteve: bashkësinë e ndërlidhur mes konceptit shtet dhe pushtet. Kosova është shpallur dhe është njohur si shtet i pavarur dhe Sovran. Por, ndërkombëtarët po lënë në heshtje një element thelbësor; pushtetin e këtij shteti. A e ushtron pushtetin ky shtet mbi të gjithë territorin dhe qytetarët e vet?! A mund të mos njohë dhe të shmangë institucionet paralele të pushtetit vendor të serbëve, kërkesa që Presidenti Sejdiu vazhdon t‘i parashtrojë publikisht?! A mund që përfaqësuesit e etnisë serbe të përfshihen dhe të kontribuojnë për bashkëkombësit dhe bashkëqytetarët, si dhe për ecurinë e Kosovës, që është përsëritur shpesh nga Kryeministri Thaçi?! Vështirë të bindim opinionin ndërkombëtar dhe ca më pak kundërshtarët e njohjes së Kosovës. Pa marrë përsipër ta bëjmë një gjë të tillë, e ndjej të domosdoshme të shtoj jo vetëm besueshmërinë, por edhe demonstrimin veprues të strukturave shtetërore për respektimin e zbatimin rigoroz, të përpiktë të Kushtetutës. Besoj se të gjitha strukturat legale shtetërore në nivel qendror dhe vendor, nuk janë vetëm të predispozuara, por edhe të përgatitura për respektimin e zbatimin e Kushtetutës. Kushtetuta betonon ligjërisht shtetin dhe shteti ngrihet e mbijeton mbi bazën e hedhjes dhe përkujdesjes së vazhdueshme për mirëmbajtjen dhe fuqizimin e këtyre themeleve. Më 15 qershor shteti i Kosovës do të ketë edhe Kushtetutën. Kjo është një arritje e madhe për ne, por, njëherësh, edhe një test i parevokueshëm për aftësinë, përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë e institucioneve tona shtetërore. Pas 15 qershori është edhe një "argument" zgjidhës për aleatët tanë ndërkombëtarë në ndërdyshjet mes UMNIK, EULEX, KFOR e NATO. Kosova është shtet i pavarur, i njohur botërisht. Dihet se cilat janë arsyet, rrugët dhe mjetet e krijimit dhe e njohjes së një shteti. Kushtetuta konsolidon shtetin dhe shteti provon veten në respektim e zbatim të Kushtetutës. Kam bindjen që shteti i Kosovës ka dëshirën, predispozitën dhe aftësinë ta bëjë këtë.