Nga 140 deputetë të parlamentit të ri (2017-2021) 61 deputetë ose 44% nuk kanë qenë parlamentarë gjatë legjislaturës së kaluar, dhe me ndonjë përjashtim të ndonjë deputeti që ka qenë vite më parë në parlament, ata përbëjnë edhe prurjet e reja në politikë.


Pjesa tjetër prej 79 deputetësh ose 56% janë rizgjedhur nga legjislatura e kaluar.


Sipas raportit të Institutit të Studimeve Politike, ndryshimin më radikal në përbërjen e re parlamentare e ka PD me 54% (23 deputetë) të rinj, ndaj vetëm 46% (20 deputetëve) të rizgjedhur, ku në pjesën e rizgjedhur bëjnë pjesë edhe katër kryetarët e partive aleate, PR, PDK, PBDNJ, LZHK.


Interesant është fakti se PD ka ndryshuar shumicën e grupit parlamentar ndërkohë që vlerësonte se opozita e saj parlamentare 2013-2017 ka qenë pozitive, ndërkohë që PS ka ndryshuar rreth 40% të grupit parlamentar nga legjislatura e kaluar.


Në LSI ndryshimi është më i vogël sesa në PD e PS, kurse PDIU do të ketë në parlament për herë të parë dy nga tre deputetët e saj.


Deputeti i fundit, Tom Doshi i PSD ka qenë në parlament, ndaj numerikisht përbën risi për PSD, por jo për emrin tij.


A kanë domethënie këto shifra? Kanë nëse analizohen zgjedhjet, situata në partitë politike, bilanci parlamentar dhe pritshmëritë e tij.


Kritika kryesore profesionale për parlamentin e kaluar kishte të bënte me defektet në ushtrimin e funksionit kryesor parlamentar, kontrollin ndaj ekzekutivit, cilësinë e ligjeve, mungesa e nismave ligjore parlamentare, etj.


Fakti se më shumë se gjysma e parlamentit të ri do të jetë më prurje të reja, në tërësi me individë pa përvojë parlamentare dhe pa ekspertizë juridike, do të thotë se pritshmëritë për rritje cilësore të punës dhe aktivitetit parlamentar mbeten ende minimale.


Nga ana tjetër, parlamenti i kaluar do të mbahet mend për dy cilësi, e para për problematikën e deputetëve të inkriminuar dhe ligjin e miratuar kundër vetvetes, dhe e dyta për ligjërimin e ashpër militant politik.


Në fakt, në parlamentin e ri nuk kemi deputetë dukshëm të inkriminuar (në dy partitë e mëdha), por kemi konfirmim 100% të pjesës më militante të parlamentit të kaluar dhe për rrjedhojë, edhe të vetë partive politike.


Janë larguar zërat liberalë apo kritikë,  (Hafizi, Blushi, Leskaj, Dade, Dokle, Shkreli, etj, tek PS, Patozi, Bregu, Selami, Topalli, Bode, etj, tek PD, dhe kanë hyrë në vendin e tyre, me përjashtim të ndonjë prurje akademike, dominojnë prurje të reja të strukturave lokale militante apo individë me rëndësi në preferencat e kryetarëve, por në tërësi pa profil e përvojë politike.


Midis deputetëve më të akuzuar për korrupsion, majtas e djathtas, pjesa më e madhe e tyre janë ri-konfirmuar, pra do të jenë përsëri aty, një shenjë komprometuese e politikës vendimmarrëse përballë nevojave të vendit dhe pritshmërive qytetare.


Së fundi, por me rëndësi, deputetët tanë nuk zgjidhen, ata në mbi 85% të parlamentit emërohen nga shefat partiakë. Mënyra dhe praktika e emërimit të deputetëve nxjerr në pah problematikat e mëdha në nivelin e demokracisë funksionale brenda partive politike, por edhe sistemin e përmbysur të vlerësimit individual për aktivitetin parlamentar dhe karrierën politike.


Modeli se sukses quhet kur i qëndron besnik shefit dhe i shërben atij, pavarësisht se çfarë bën, sa i ndershëm apo transparent je, sa i votuar apo popullor je, sa i formuar apo reformator je, mbetet një model negativ, antihistorik dhe tregues për nivelin ende kritik ku ndodhen institucionet politike dhe demokracia përfaqësuese në Shqipëri.


(Shkrimi u pergatit nga Instituti i Studimeve Politike ISP)


/Oranews.tv/ 


 


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter