Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën e sotme plenare, ka ratifikuar Konventën për heqjen e kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961) dhe marrëveshjen për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e rrugëve rajonale.

Projektligjin për ratifikimin e Konventës për heqjen e kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961) e arsyetoi ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi. Ai theksoi se Mbretëria e Holandës, si vendi depozitues i kërkesës, e ka miratuar kërkesën e Republikës së Kosovës dhe duhet të hyjë në fuqi më 14 korrik 2016 për aderimin në këtë konventë. Anëtarësimi i Kosovës në këtë Konventë, shtoi Abrashi, fuqizon subjektivitetin e saj në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, Kosova përfiton mjaft në lehtësimin e procedurave dokumentare për qytetarët dhe bizneseve.

Më pas ministri i Financave, Avdullah Hoti, arsyetoi dy projektligje: Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e rrugëve rajonale, si dhe atë për Ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore 10.

Pas diskutimeve të deputetëve, me 2/3 e votave u miratuan vetëm dy projektligjet e para, kurse Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore 10, me kërkesë të kryetarit të Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, u shty për në seancën e radhës.

Kuvendi vijoi punimet me shqyrtimin e dytë të tri projektligjeve: Projektligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjit për falimentimin, si dhe Projektligjit për investimet strategjike në Republikën e Kosovës.

Pas arsyetimeve nga kryetarët e komisioneve funksionale dhe diskutimeve të deputetëve, dy projektligjet e para u miratuan, ndërsa u shty votimi për Projektligjin për investimet strategjike në Republikën e Kosovës.