Kuvendi ka dërguar një letër zyrtare në Prokurorinë e Përgjithshme, ku kërkon dokumente shtesë në lidhje me kërkesën e institucionit të Akuzës për të hequr imunitetin e deputetit Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes. Javën e kaluar, gjatë mbledhjes së Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, nisi shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut. Deputeti republikan Arian Madhi, anëtar i Këshillit, kërkoi që në Kuvend të vijë dokumentacion shtesë për të vërtetuar arsyen e institucionit të Akuzës për heqjen e imunitetit të Mediut. Kryetarja Topalli e pranoi këtë kërkesë, ku u shpreh se do t’i bëhet prokurorisë një kërkesë e tillë. Njëkohësisht Topalli tha se deputeti Mediu ka të drejtë të dwgjohet nga ky këshill. Ish-ministri i Mbrojtjes akuzoi se me veprimet dhe mosveprimet e tij mban përgjegjësi për ngjarjen e rëndë në fshatin Gërdec. Prokuroria ka lëshuar disa akuza ndaj Fatmir Mediut. “Gjithçka në Gërdec është kryer në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore të demontimit të armëve, e ndihmuar kjo dhe nga urdhrat e dhënw nga ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu”, - është shprehur kryeprokurorja Ina Rama. Tragjedia e Gërdecit përfshin 26 persona që kanë humbur jetën, rreth 250 të tjerë të plagosur, ndërsa dëmet materiale përllogariten në afro 2.4 miliardw lekë, ose rreth 20 milionë euro. Për të gjitha këto organi i Akuzës i kërkoi Parlamentit heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut për të vazhduar më tej ndjekjen penale. Menjëherë pas mbërritjes së dokumentacionit shtesë në Kuvend nga ana e prokurorisë pritet që të fillojë zbatimi i nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, i cili parashikon shqyrtimin e kësaj kërkese nga Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, ku brenda 4 javëve harton një raport që i përcillet seancës plenare, në të cilin rekomandohet rrëzimi ose miratimi i dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit në fjalë. Ndërkohë, deputetët e Kuvendit vendosin me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.



6 Maj 2008