Pasditen e sotme, në orën 17.00 u lajmërua se do të mblidhet seanca e radhës parlamentare, e para qysh pas djegies së mandateve të deputetëve nga ana e opozitës.


E zënë në befasi nga kjo seancë e pa lajmëruar më parë, Partia Demokratike iu ka dërguar mesazh urgjent drejtuesve të strukturave të partisë.


Në të kërkohet që të mblidhen para Parlamentit në orën 16.30, në shenjë proteste ndaj seancës ilegjitime, siç e quan opozita. Po ashtu pritet që të pengohet zhvillimi i seancës parlamentari.


Shumë urgjente. Sot në orën 17.00 ka seancë parlamentare. Merrni masa për prani maksimale të strukturës në orën 16 e  30 para Parlamenti! Ju lutem pjesëmarrje, thuhet në mesazh.


Po ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim iu ka bërë thirrje strukturave dhe qytetarëve që të mblidhen në protestë.


Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka ishte i pari që reagoi lidhur me seancën parlamentare, duke thënë Kuvendi ilegjitim, mblidhet në ilegalitet.


Paloka shton se, Pasi e rrethuan me tela me gjemba dhe salduan dyert hyrëse, tani kanë filluar ta mbledhin dhe në ilegalitet. Seancën e së enjtes, po kërkojne ta mbledhin fshehtas sot në orën 17.00. Sa mendoni se do zgjasni kështu?! Tik-tak


Ndërkohë demokrati Gent Strazimiri ironizon kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, duke i thënë që ta çojë Parlamentin në fshatrat e Tepelenës dhe të bjerë rehat.


Qesharakë deri në dhimbje!!! Grramoz, dëgjo mua! Shpjere parlamentin në Galigat a në Salari që të biesh rehat, se dhe kështu seancë e befasishme pa mendje sikur svete P.S., Parlamenti që ka frikë nga POPULLI, nuk është i POPULLIT, nga POPULLI e për POPULLIN!


Seanca e sotme është e para që mbahet, pasi që nga e enjtja opozita ka djegur mandatet e deputetëve dhe nuk do të jetë më në Kuvend.


Vendimi për mbajtjen e seancës u mor paraditen e sotme gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.


Gjatë seancës së sotme pritet të miratohet struktura dhe buxheti i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë.


Ndërkohë opozita ka lajmëruar zhvillimin e protestave të vazhdueshme, ku më e afërta është të enjten, kur dhe mblidhet zakonisht parlamenti. Kjo gjë është paralajmëruar të vijojë deri në krijimin e një qeverie tranzitore, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.


Gazeta Shqip