/* */













Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, shpalli listën e 23 lojtarëve të thirrur për ndeshjet me Francën (në “Qemal Stafa”) dhe Luksemburgun në transfertë, te vlefshme per eliminatoret e Euro 2012-s.

Bie në sy thirrja e portierit të Skënderbeut, Orges Shehit; mbrojtësit të Flamurtarit, Franc Veliu dhe sulmuesit të Vorskla Poltavës, Ahmed Januzi.

Kundër Francës do të kemi një bosht “italian”, madje të Serisë A, pasi në portë do të luajë Samir Ujkani i Novarës, në zemër të mbrojtjes Lorik Cana i Lacios dhe në sulm, Erjon Bogdani i Cezenës.

Të vetmit lojtarë pa ekip janë dy mesfushorët veteranë, Klodian Duro dhe Ervin Skela. Vetëm katër lojtarë luajnë në kampionatin shqiptar.

Kombëtarja jonë, e cila në renditjen e muajit gusht 2011 ndodhet në vendin e 57-të, ka grumbulluar 8 pikë nga gjashtë ndeshjet e para eliminatore, ndërkohë që Franca kryeson grupin D me 13 pikë.

Shqipëria ka luajtur dy ndeshje kundër Francës, të vlefshme për eliminatoret e Euro 1992, kur ajo drejtohej nga Mishel Platini.

Në Tiranë, humbëm 1-0 (me trajner Agron Sulajn) dhe në Paris, shumë thellë: 5-0 (trajner Bejkush Birçe), por në këtë të fundit, shtatë lojtarë të Kombëtares e braktisën atë.

Para ndeshjes, Eduard Kaçaçi, Lorenc Leskaj dhe Genc Ibro kërkuan azil politik në Zvicër, madje pa mbëritur në Francë, ndërsa pas ndeshjes u larguan edhe Rudi Vata, Josif Gjergji, Ardian Sukaj dhe Ilir Kepa.

LISTA

PORTIERË
Ujkani, Hidi, Shehi

MBROJTËS
Lila, Curri, Dallku, Vangjeli, Agolli, Teli, Veliu

MESFUSHORË
Skela, Cana, Bulku, Lala, Duro, Lika, Vila, Hyka, Muzaka, Bakaj

SULMUES
Bogdani, Salihi, Januzi, Kapllani