BRUKSEL - Aktivistja dhe drejtuesja pe shoqatës për te drejtat e LGBT, Xheni Karaj e Aleancës LGBT ndodhet në Bruksel për të dhënë informacion në lidhje me situatën e LGBT në Shqipëri, informacion që do te perfshihet ne progres raportin e Shqipërisë.
 
Siç informon shoqata Pro LGBT, në një takim me Stefano Sannino, Karaj është shprehur se Shqipëria ka pasur zhvillime të rëndësishme gjatë këtij viti përsa i përket amendimit të Kodit Penal, ku janë përfshirë krimet dhe gjuha e urrejtjes, si dhe ka pasur zhvillime pozitive përsa i përket aprovimit të Planit Strategjik mbi LGBT.
 
Por, sipas znj, Karaj, e rëndësishme është që “këto arritje në fushën e legjislacionit, të fillojnë të zbatohen në praktikë”.
 
Gjithashtu ajo theksoi rëndësinë e përfshirjes së të drejtave të komunitetit LGBT dhe në programet e partive politike. Ne kuadër të konsultimeve mbi progres raportin e delegacionit europian, aktivistë LGBT nga shtete të ndryshme të Ballkanit si Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia janë takuar ditën e sotme me drejtorin e Përgjthshëm të Zgjerimit të BE, Stefano Sannino.
 
Gjatë këtij takimi u diskutua rreth situatës së personave LGBT në rajonin e Ballkanit dhe u ngritën problematikat e kontrastit, që ekziston në këtë rajon në lidhje me zhvillimet pozitive ligjore që ndërmerren nga qeveritë për të plotësuar kriteret që i kërkohen nga Bashkimi Europian dhe situatës reale me të cilën komuniteti LGBT përballet çdo ditë.
 
Sanino theksoi që, respektimi i të drejtave të komunitetit LGBT tashmë është një prioritet për Komisionin Europian dhe që kontributi i tij në këtë drejtim do të zgjerohet në muajt në vazhdim përmes përpilimit të një aksion plani mbi çështjet Lgbt për rajonin e Ballkanit.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)